Tajlanda shtyn tarifën e hyrjes për turistët për shkak të krizës ekonomike

Qeveria tajlandeze ka vendosur të shtyjë zbatimin e një tarife prej 7.50 eurosh për turistët e huaj, duke përmendur rënien e numrit të vizitorëve dhe pasigurinë ekonomike në vend.

Tarifa, e njohur si “kha yeap pan din” – që përkthehet si “shkelja në tokën tajlandeze” – ishte planifikuar të hynte në fuqi në vitin 2025, por tashmë është shtyrë për në mesin e vitit 2026, sipas Ministrisë së Turizmit dhe Sporteve.

Masa, e miratuar në parim nga kabineti qeveritar në shkurt të vitit 2023, parashikon një tarifë prej 300 bahtësh për vizitorët që mbërrijnë me avion, ndërsa për ata që hyjnë në vend përmes rrugëve tokësore apo detare, tarifa do të jetë 150 bahtë.

Fondet e mbledhura nga kjo tarifë synojnë të përmirësojnë infrastrukturën turistike dhe të mbulojnë sigurimin e udhëtimit për të huajt.

Ndihmësministri i Turizmit, Chakrapol Tangsutthitham, konfirmoi këtë javë se vendimi për shtyrjen është marrë për shkak të ecurisë më të dobët se pritej të industrisë së turizmit dhe faktorëve të jashtëm si pasiguritë ekonomike në tregje kyçe, përfshirë Kinën.

Deri në fillim të korrikut, në Tajlandë kanë mbërritur rreth 17 milionë turistë – një shifër që është 5% më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Sipas analistëve, forca e rritur e valutës vendase (bahtit), së bashku me çmimet më të larta të biletave të avionit, po e bëjnë Tajlandën një destinacion më pak të përballueshëm për vizitorët ndërkombëtarë.

Për më tepër, tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe vendosja e tarifave ekonomike ndaj Bangkokut mund të ndikojnë negativisht në sektorin e udhëtimeve dhe investimeve.

Megjithatë, autoritetet tajlandeze nuk po qëndrojnë duarkryq.

Një nga masat e reja është zëvendësimi i dokumentacionit fizik të hyrjes me një sistem dixhital online, që synon të lehtësojë procesin e regjistrimit dhe të përmirësojë fluksin në pikat kufitare.

Përmirësimi i përvojës së turistëve është prioritet, ndërsa vendi përpiqet të ruajë pozicionin e tij si një prej destinacioneve më të preferuara globale.

Pavarësisht sfidave të fundit, Tajlanda mbetet një magnet turistik falë bukurive natyrore, kulturës mikpritëse dhe çmimeve të përballueshme.

Me ishujt e saj ekzotikë, jetën e gjallë të natës në Bangkok dhe resurset në rritje për turizëm Wellness, vendi synon të ruajë interesin e udhëtarëve nga e gjithë bota.

Edhe pa tarifën e re, Tajlanda shpreson që “fuqia e saj joshëse e butë” do ta mbajë industrinë turistike të gjallë.