AZHBR: Fermerët 30% parapagim për investime në bujqësi
Arditi, sipërmarrës në sektorin e bujqësisë, në Gegë të Kuçovës, me mbështetjen nga Skema Kombëtare e Investimeve ka ndërtuar një stallë të re moderne për mbarështimin e lopëve, me kapacitet prej 140 krerësh.
Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi, gjatë vizitës në fermën e Arditit, tha se, “ai e nisi investimin duke përfituar parapagesën prej 30%, një mbështetje e rëndësishme për realizimin në kohë të projektit”.
Sipas saj, “Skema Kombëtare e Investimeve është një instrument kyç për nxitjen e investimeve në bujqësi, duke synuar modernizimin e fermave dhe rritjen e produktivitetit në sektorin bujqësor”.
“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë e kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer dhe agrobiznes mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolaterali deri në 70%”, tha Kuçi.
Arditi tregoi se përmes këtij investimi ka ngritur një fermë blegtorale me standarde dhe kushte bashkëkohore për rritjen e gjedhit.
Ai u shpreh se aplikimi në Skemën e Investimeve ishte shumë i lehtë dhe vlerën e parapagimit të investimit e ka marrë në kohë shumë të shpejtë.
Ferma ka një kapacitet prej afro 140 krerësh dhe në përfundim të investimit të plotë do të ketë dhe qendrën e përpunimit të qumështit.
Kuçi bëri të ditur se AZHBR do të çelë së shpejti një thirrje të re për mbështetjen e fermerëve që duan të investojnë në ferma blegtorale për gjedh, të imta dhe shpendë me 50% grant, i cili ndërthuret, siç tha ajo, edhe me dy instrumente financimi me Kredi të Butë dhe Garanci Sovrane, për rritjen e aksesit në financim të fermerëve.
