Inter-Asllani, ngërç në mesfushë! Klubi kërkon ta shesë për 18-20 milionë, por tratativat janë bllokuar
Në shtëpinë zikaltër, e ardhmja e Kristjan Asllanit mbetet një rebus i pazgjidhur. Mesfushori I kombwtares shqiptare nuk bën më pjesë në planet teknike të Interit dhe pas afrimit të Petar Sucic, drejtuesit kanë vendosur ta nxjerrin në merkato për të arkëtuar një shumë prej 18–20 milionë eurosh që mund të investohet në objektiva të tjerë.
Megjithatë, misioni nuk po rezulton i lehtë. Nga njëra anë janë kërkesat financiare të larta të klubit, nga ana tjetër dëshira e vetë lojtarit për të qëndruar në Itali në rast largimi. Kjo ka sjellë një situatë bllokimi, ku oferta e Betis Sevilla u refuzua – si për shkak të shifrave të ulëta, ashtu edhe sepse destinacioni nuk u pëlqye nga vetë Asllani.
Në Serie A, interes për të kanë shfaqur Bologna dhe Fiorentina, por Interi është i gatshwm të negociojë vetëm për një shitje përfundimtare, gjë që e komplikon gjithçka. Nëse Calhanoglu qëndron në skuadër, me afrimin e Sucic, Asllani shihet si një “tepricë” që duhet sistemuar.
Për këtë arsye, në Appiano Gentile po shqyrtohet mundësia për të ndryshuar formulën fillestare të largimit të mesfushorit kuqezi, ndoshta duke hapur rrugë për një huazim me të drejtë blerjeje – skemë që mund të tërheqë klubet që kërkojnë përforcim në mesfushë dhe që janë të gatshme të investojnë te numri 21 zikaltër.

