Spektakël në “Tour de France”/ Tadej Pogaçar humbet për një sekondë fanelën e verdhë

Ishte një garë e çuditshme. Rrallë mund të ndodhë që kryesuesi i Turit të Francës ta falë me dëshirë Fanelën e Verdhë, ndërsa rivalët të bëjnë ç’mos që ai të vazhdojë në vend të parë.

Kështu ndodhi në etapën e gjashtë të Klasikes së çiklizmit, në të cilën Fanela e Verdhë ndryshoi duar. Tashmë, atë do ta ketë holandezi Matjë Van der Pul, i cili la prapa për vetëm një sekondë favoritin Tadej Pogaçar.

Beteja ishte e ashpër në itinerarin prej 201.5 kilometrash nga Beja në Vir Normandi, dhe skuadra e rivalit të sllovenit, Jonas Vingegardit, kishte menduar një taktikë të veçantë.

Pasi Van der Pul u shkëput nga grupi kryesor dhe arriti në 5 minuta avantazh duke qenë kryesuesi virtual I Turit, Pogaçar ishte I vendosur që ta ndihmonte për të marrë Fanelën e Verdhë.

Në të kundërt, skuadra e Vingegardit, Visma, dëshironte që slloveni të mbetej I pari. Shpjegimi është se kryesuesi i Turit ka disa detyrime të cilat padyshim e lodhin, pasi duhet të bëjë kontrollin anti-doping si dhe konferencat me gazetarët.

Pogaçar donte ta falte Fanelën e Verdhë për të pushuar sa më shumë, ndërsa Vingegard donte që ai të mbetej I pari dhe të lodhej sa më shumë, pra për ta mundur më lehtë.

Në të vërtetë, etapën e gjashtë e fitoi irlandezi I ri, Ben Hili, ndërsa Van der Pul, ishte I teti gati 4 minuta prapa. Skuadra Visma shpejtoi ritmin, por nuk ia doli vetëm për një sekondë, ndërsa Pogaçar e tregoi veten në sprintin final duke lënë prapa rivalët.

Van der Pul kryeson me vetëm një sekondë epërsi ndaj kampionit në fuqi, ndërsa Vingegard është 1’14 sekonda prapa.