Inzagi kërkon me ngulm Moise Kean tek Al Hilal, luhatet Fiorentina
Moise Kean pritet të transferohet drejt Arabisë Saudite. Mediet italianë shkruajnë se është Simone Inzagi që i ka bërë një ofertë për një pagë 80 milionë euro në një kontratë katër vjeçare. Për sulmuesin, Fiorentina kërkon 52 milionë euro për ta lënë të lirë
Pas largimit të Mateo Retegui drejt Arabisë Saudite, një tjetër sulmues i përfaqësueses italiane nën drejtimin e Gennaro Gattusos është pranë një transferimi të ngjashëm.
Bëhet fjalë për Moise Kean, për të cilin Al Hilal ka shfaqur një interes konkret dhe shumë të fuqishëm financiarisht.
Sipas mediave italiane, Simone Inzaghi, ka telefonuar personalisht Kean për t’i prezantuar ofertën marramendëse, 20 milionë euro neto në sezon për katër vjet – një total prej mbi 80 milionë eurosh.
Një ofertë që e bën çdo lojtar të mendohet, përfshirë edhe Kean, i cili aktualisht është në bisedime me Fiorentinën për rinovimin e kontratës dhe për t’u bërë pjesë kyçe e projektit të ri të klubit.
Sulmuesi italian ka një klauzolë largimi prej 52 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë dhe vetëm deri më 15 korrik që Al Hilal është gati ta paguajë.

Alternativa tjetër është që Kean të qëndrojë në pritje dhe të vendosë vetë për të ardhmen e tij, pasi është e qartë se vullneti i lojtarit do të jetë vendimtar.
Më parë, ai kishte refuzuar një ofertë prej 15 milionë eurosh nga Al-Qadsiah, klub që më pas firmosi me Reteguin. Ndërkohë, në Firenze, Kean fiton rreth 2 milionë euro në vit, ndaj diferenca me ofertën saudite është e jashtëzakonshme.
Nëse nuk ka lëvizje nga Al Hilal deri më 15 korrik, kur skadon klauzola për klubet e huaja, Fiorentina është gati t’i ofrojë një rritje të ndjeshme page – ndoshta dyfishim të rrogës aktuale.

