5 policë në burg, 1 mjeke në hetim, avokati Berisha: Ende i paqartë shkaku i vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për pesë policët e dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu, gjatë arrestimit të tij.

Për rastin e rëndë që tronditi jo pak opinionin publik, Oda e Mjekëve të Kosovës (Urdhri i Mjekut) do të hetojë edhe një mjeke. Kryetari i OMK-së, Dr. Pleurat Sejdiu konfirmoi për mediat se e njëjta do të hetohet mbi dyshimet për deklaratën në kundështim me etikën profesionale dhe mosdhënie të ndihmës në vendin e ngjarjes.

Për të kuptuar më shumë mbi dinamikën e kësaj vrasjeje në hapësirën "Për Shqiptarët" në "Ora News" i ftuar ishte avokati nga Kosova, Eset Berisha.

Ai tha se përtej akuzave dhe hetimeve, është ende i paqartë shkaku real i vdekjes së 27-vjeçarit.

"Të gjithë jemi njohur me rastin në media, ku i riu ka humbur jetën pas një konflikti të provokuar nga 5 zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Por rrethanat e ngjarjes mbeten ende të pa sqaruara për opinionin publik dhe për vetë Policinë e Kosovës.

Ne kemi parë dhe komunikatës e kësaj të fundit, e cila në mënyrë të përgjithësuar shpjegon gjithë ngjarjen, por pa hyrë në detaje rreth shkakut, apo se cila ishte arsyeja kryesore nga e cila i riu humbi jetën gjatë kontaktit apo konfliktit me policët", u shpreh ndër të tjera avokati Berisha.

PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AVOKATIN ESET BERISHA