Sveçla premton për rastin në Lipjan: Do të ketë drejtësi
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u ka shprehur ngushëllime familjes së të riut i cili humbi jetën në Lipjan, duke thënë se askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar.
Sveçla ka shkruar në Facebook se është thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë mëngjesin e të dielës në Lipjan.
Ai ka shkruar që sapo është informuar për ngjarjen, ka kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi.
“Hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal. Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, shkruan Svelça.
“Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha gjetjet dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, tha Svelça.
“Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas tij, atë do ta ruajnë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast.
Familja Zejnullahu nga Lipjani po kërkon drejtësi për vdekjen e Agon Zejnullahut, i cili ndërroi jetë të dielën në rrethana sipas tyre të paqarta, ku dyshohet se shkaktarë ka qenë ndërhyrja nga patrulla policore në rrugën “Haradin Bajrami”, rreth mesnatës së 7 korrikut.
Agroni dyshohet se ka qen i dehur dhe aty kanë ndërhyrë policët, të cilët gjatë arrestimit edhe e kanë goditur. Kjo dyshohet se ishte edhe arsyeja e vdekjes së viktimës. Sipas vëllait të tij, Alban Zejnullau, Agoni është pranuar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Lipjan, me dhjetëra shenja në trup.

