Çmimi i Madh i Britanisë/ Verstappen në 'pole', McLaren ndjek nga pas, Ferrari në vijën e tretë
Max Verstappen ka siguruar “pole position” në garën e 12-të të sezonit të Formula 1, që do të zhvillohet në Silverstone. Kampioni i katërfishtë i botës regjistroi kohën më të shpejtë me 1 minutë, 24 sekonda e 892 të mijtat, duke lënë pas dy makinat McLaren të Oscar Piastrit (+0.103) dhe Lando Norrisit (+0.118).
Rreshti i dytë i nisjes do të përbëhet nga George Russell (+0.137), ndërsa në vijën e tretë do të jenë dy makinat Ferrari: Lewis Hamilton (+0.203) dhe Charles Leclerc (+0.229), të cilët nuk arritën të sfidojnë për pozitat e para në këtë sesion kualifikues.
Andrea Kimi Antonelli e mbylli në vendin e shtatë, por do të zbresë tri pozicione në start për shkak të një incidenti me Verstappen në garën e kaluar në Austri. Ai do të niset nga rreshti i pestë, përkrah Carlos Sainz, që u eliminua i pari në fazën e dytë (Q2).
Oliver Bearman e regjistroi kohën e tetë në Q3, por do të penalizohet rëndë për mosrespektim të flamurit të kuq dhe për shkak të një incidenti në hyrje të pit-lane gjatë provave të lira, duke zbritur në rreshtin e parafundit. Kjo favorizon Fernando Alonson (Aston Martin) dhe Pierre Gaslyn (Alpine), të cilët do të nisin nga rreshti i katërt.
Yuki Tsunoda (Red Bull) zhgënjeu sërish, duke u renditur në vendin e 12-të, pas Sainz. Pas tij vijnë Isack Hadjar (Racing Bulls), Alexander Albon (Williams) dhe Esteban Ocon (Haas).
Liam Lawson ishte i pari i eliminuar në Q1 dhe do të niset nga pozita e 16-të. Më pas vijnë dy makinat Sauber të Gabriel Bortoleto dhe Nico Hulkenberg, të ndarë mes tyre nga Lance Stroll (Aston Martin). Në fund të klasifikimit është Franco Colapinto, i cili humbi kontrollin e Alpine-s së tij dhe shkaktoi ndërprerjen e Q1, duke mos arritur ta rikthente makinën në bokse.
