Qeveria përpjekje për ndërtimin e qyteteve të zgjuara përmes inovacionit dhe digjitalizimit

Qeveria shqiptare po ndjek një strategji të qartë drejt forcimit të shërbimeve digjitale dhe zhvillimit të qyteteve të zgjuara, duke synuar krijimin e mjediseve më funksionale, më të qëndrueshme dhe të aksesueshme për qytetarët dhe bizneset.

Në këtë kuadër, u zhvillua sot në Sarandë, një takim me përfaqësues nga Albania Investment Corporation (AIC), VISA dhe organizata INNVEST, ku u diskutuan hapat konkretë për të avancuar nismat që mbështesin inovacionin, teknologjinë dhe përfshirjen financiare si baza të rëndësishme për qytetet e së ardhmes.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e përfshirjes së institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë dhe aktorëve lokalë në këtë proces transformimi.

Gjatë takimit u trajtuan tema thelbësore si rritja e përdorimit të pagesave digjitale, zhvillimi i zgjidhjeve të zgjuara për lëvizshmërinë urbane (smart mobility), qeverisja e bazuar në të dhëna dhe përfshirja financiare për të gjithë shtresat e shoqërisë.

Këto nisma synojnë jo vetëm modernizimin e shërbimeve publike, por edhe krijimin e një ekosistemi gjithëpërfshirës ku inovacioni dhe teknologjia të jenë në funksion të përmirësimit të jetës së përditshme në qytetet shqiptare.