PL: Fshati po boshatiset. Fermeri po falimenton. Toka po mbetet djerrë. Dhe kjo qeveri po vjedh edhe shpresën!
Deklarata e Zëdhënëses së Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli
Të nderuar fermerë, blegtorë, përpunues dhe qytetarë të ndershëm!
Sot jemi përballë një mashtrimi të paskrupullt dhe një tradhtie të hapur ndaj fshatit shqiptar!
120 milionë euro të dhuruara nga Bashkimi Evropian, të dedikuara për ju, për bujqësinë, blegtorinë dhe agropërpunimin, janë grabitur nga kjo qeveri dhe janë shpenzuar për pishina dhe resorte luksi në emër të investitorëve strategjikë. Në vend që të përmirësohej jeta në fshat, janë rimbushur xhepat e klientëve të pushtetit.
Dhe sot, pas kësaj vjedhjeje të pashembullt, qeveria del pa pikë turpi dhe ju fton të aplikoni për kredi me skemën famëkeqe të fondeve sovrane, një model i dështuar dhe i diskredituar, që ka sjellë vetëm borxhe dhe falimentim për fermerët shqiptarë.
Kjo është tallje, është përbuzje dhe është krim ekonomik.
E vërteta është se për bujqësinë dhe fshatin nuk ka asnjë euro nga fondet evropiane dhe asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. Kjo është fytyra e vërtetë e një qeverie që e ka kthyer korrupsionin në model qeverisës dhe që e ka braktisur qëllimisht fshatin shqiptar.
Ndërkohë që Serbia përfiton 280 milionë euro dhuratë nga BE për bujqësinë, Shqipëria ndëshkohet për shkak të keqqeverisjes, mungesës së transparencës dhe zhvatjes së fondeve.
Kjo nuk është më papërgjegjshmëri. Kjo është sabotim i qëllimshëm i fshatit dhe i së ardhmes së Shqipërisë.
Fondi sovran është një mashtrim i radhës, një fasadë e qeverisë për të fshehur dështimin dhe hajdutërinë. Ai nuk do të mbulojë dot shkatërrimin e bujqësisë, shpopullimin e fshatit dhe rrënimin e ekonomisë prodhuese.
Fshati po boshatiset. Fermeri po falimenton. Toka po mbetet djerrë. Dhe kjo qeveri po vjedh edhe shpresën!
Partia e Lirisë, e ka bujqësinë një nga prioritetet kryesore në programin e saj, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në fuqi prodhuese dhe eksportuese.
Ne nuk do të heshtim. Ne do të ngremë zërin. Sepse nuk ka rilindje aty ku ka vetëm vjedhje. Nuk ka zhvillim aty ku ka vetëm mashtrim. Dhe nuk ka Shqipëri pa fshatin e saj!

