Studimi: Truri i njeriut mund të rigjenerohet edhe në moshë të madhe
Nuk është gjithçka e humbur për trurin tonë! Edhe pse me kalimin e moshës numri i neuroneve zvogëlohet, shkencëtarët kanë zbuluar se ekziston një rezervë qelizash që mund të zhvillohet dhe të zëvendësojë ato që humbasin. Ky konkluzion vjen nga një studim i kryer nga Instituti Karolinska në Stokholm dhe i botuar në revistën shkencore “Science”.
“Arritëm të identifikojmë qelizat nga të cilat formohen neuronet e reja. Kemi vërtetuar se në hippocampus një pjesë kyçe e trurit ndodh vazhdimisht formimi i neuroneve të reja edhe në moshë të rritur,” shpjegon Jonas Frisén, profesor i biologjisë së qelizave staminale në Institutin Karolinska.
Studiuesit kanë përdorur teknologjitë më të avancuara të fushës së gjenomikës për të analizuar 24 mostra të trurit nga persona të ndjerë: 6 fëmijë, 4 adoleshentë dhe 14 të rritur deri në moshën 78-vjeçare. Në këto mostra janë identifikuar qeliza staminale ende të papjekura, por të gatshme për t’u kthyer në neurone, si dhe qeliza që tashmë kishin nisur procesin drejt maturimit si neurone të rritura. Kjo u bë e mundur falë një analize të gjatë dhe të detajuar të ARN-së nga qindra mijëra qeliza.
“Sipas rezultateve, neurogjeneza është vërtetuar tek të gjithë fëmijët, gjysma e adoleshentëve dhe dy të tretat e të rriturve,” thotë neurologu Gabriele Miceli nga Universiteti Katolik i Romës. Kjo sugjeron se truri i njeriut ka një aftësi të natyrshme për t’u rigjeneruar, edhe pse jo në të gjithë individët dhe jo në të njëjtën masë. Si çdo organ tjetër, edhe kjo aftësi bie me kalimin e viteve.
Për dekada me radhë, shkenca besonte se truri i njeriut nuk mund të krijonte neurone të reja pas lindjes. Në editorialin shoqërues në Science, studiuesit Margaux Quiniou dhe Sebastian Jessberger nga Universiteti i Cyrihut shkruajnë se ky besim nisi të tronditej që në vitet ’60, kur u zbuluan shenja të neurogjenezës në trurin e minjve laboratorikë, veçanërisht në zonën e hippocampus-it.
Edhe studimi suedez është përqendruar pikërisht në këtë zonë në një strukturë të quajtur gyrus dentatus, ku janë identifikuar neurone të sapoformuara. Hippocampusi është një rajon i lidhur ngushtë me kujtesën, të nxënit dhe humorin, si dhe është një nga zonat më të prekura nga sëmundje si Alzheimer.
Sipas Micelit, një nga pyetjet kryesore që kërkon përgjigje është: pse disa individë tregojnë shenja të neurogjenezës, ndërsa të tjerë jo? “Me gjasë, kjo lidhet me faktorë gjenetikë, dhe jo vetëm me mënyrën sesi ushqehemi apo e stimulojmë trurin,” thotë ai. “Është e qartë se disa njerëz plaken në mënyrë më të shëndetshme se të tjerët. Të kuptojmë nëse kjo varet nga aftësia për të prodhuar neurone të reja do të ishte thelbësore.”
Për shkencëtarët, kjo është vetëm fillimi. Edhe pse studimi konfirmon përfundimisht se truri i njeriut mund të gjenerojë neurone të reja gjatë gjithë jetës, shumë aspekte të këtij procesi ende mbeten për t’u sqaruar.
