“Oasis” rikthehen në skenë pas një pauze 16-vjeçare
Dy vëllezërit e grupit britanik muzikor “Oasis” – Noel dhe Liam Gallagher u ngjitën në skenë pas një shkëputjeje 16-vjeçare, duke kënduar përpara 70 000 fansave hit-et si “Cigarettes and Alcohol”, “Live Forever” dhe “Slide Away”, sipas BBC.
Koncerti i tyre u hap me hit-et “Hello” dhe “Acquiesce”. Teksti i këngës “ne kemi nevojë për njëri-tjetrin” ndihej si një pajtim mes dy vëllezërve – që lanë mënjanë një grindje 10-vjeçare dhe u ribashkuan me fansat e tyre.
Një entuziazëm i përbashkët u ndje nga publiku – të cilët mirëpritën këngë si “Wonderwall” dhe :Don’t Look Back In Anger”, të dyja të shkruara nga “Oasis” në vitin 1995, “(What’s the Story) Morning Glory?” – një nga albumet britanike më të shitura të të gjitha kohërave.
Gjithë natën, dy vëllezërit kënduan njëri pas tjetrit hite si: “Some Might Say”, “Supersonic”, “Whatever”, “Half The World Away”, “Rock ‘n’ Roll Star”.
Hit-in “Live Forever” – Oasis ia dedikoi futbollistit të Liverpool-it, Diogo Jota – i cili u këndua nga publiku nën tingujt e kitarës së Noel.
Edhe pse Noel dhe Liam Gallagher dolën dorë për dore, ata kurrë nuk iu drejtuan njëri-tjetrit gjatë koncertit qe zgjati 2 orë e 15 minuta.
Ata dukeshin të harmonizuar sërish, pas gjithë armiqësisë dhe ujërave të trazuara ndër vite – shfaqja e tyre ishte jashtëzakonisht emocionuese.
“Bravo që na duruat gjatë viteve”, tha Liam, duke prezantuar këngën e fundit të mbrëmjes, “Champagne Supernova”. Ndërsa u larguan nga skena, vëllezërit Gallagher ndanë një përqafim të shkurtër.
Oasis janë një grup anglez rock i formuar në Mançester në vitin 1991. Grupi fillimisht përbëhej nga Liam Gallagher (vokal kryesor), Paul “Bonehead” Arthurs (kitarë), Paul “Guigsy” McGuigan (bas kitarë) dhe Tony McCarroll (bateri).
Liam i kërkoi vëllait të tij më të madh Noel Gallagher (kitarë kryesore, vokal) të bashkohej si anëtar i pestë disa muaj më vonë për të finalizuar formimin e tyre.
Noel u bë udhëheqësi de facto i grupit dhe mori përsipër detyrat e shkrimit të këngëve për katër albumet e para në studio të grupit. Ata konsiderohen si një nga grupet më të suksesshme globalisht të zhanrit Britpop.
