PL: Shqipëria ka cilësine më të keqe të jetesës ne Europë, ja pse
Deklarata e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu.
Shqipëria ka cilësine më të keqe të jetesës ne Europë ashtu siç evidentohet qartë nga raporti më i fundit i platformës ndërkombëtare Numbeo, për periudhën janar-qershor 2025.
Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet e fundit ndër 37 vende europiane të analizuara, duke u pozicionuar më keq edhe se Ukraina, një vend që ndodhet nën agresion të armatosur. Ky është një sinjal i qartë se shqiptarët po jetojnë jo në krizë të përkohshme, por në një kolaps të qëndrueshëm dhe të thelluar të cilesise se jetesës.
Nëse do të besonim propagandën e përditshme mediatike, Shqipëria sot është një parajsë mesdhetare ku jetohet më mirë se në çdo cep të Europës. Në realitet, jemi në fund.
Fuqia blerëse në Shqipëri është ndër më të ultat në kontinent. Çmimet e larta të banesave janë të pakrahasueshme me të ardhurat reale të qytetarëve.
Shëndetësia falas kushton më shumë se ajo private për shkak të korrupsionit, mungesës së aparaturave , ilaceve dhe mjekëvë. Shëndetësia është lënë në mëshirën e rrënimit dhe privatizimit të heshtur.
Shqipëria është sot vendi me pagat më të ulëta në Europë, ndërkohë që kostoja e jetesës – nga produktet ushqimore tek qiraja dhe shërbimet bazë – është më e lartë se mesatarja europiane. Familjet shqiptare shpenzojnë 40% të të ardhurave vetëm për ushqim, krahasuar me 13% që është mesatarja e BE-së, një tregues i varfërisë strukturore dhe i dështimit të politikave ekonomike dhe sociale.
Të rinjtë nuk kanë më mundësi të ndërtojnë jetën në vendin e tyre. Blerja e një apartamenti është kthyer në një luks të paarritshëm për shumicën e tyre. Një familje me të ardhura mesatare, ose nuk e përballon dot një banesë, ose do të jetë skllave e një kredie që zgjat gjithë jetën.
Ndërkohë, mjedisi po shkatërrohet përditë. Ajri që thithim është i helmuar nga djegia e mbetjeve urbane e industriale, uji i pijshëm nuk përdoret dot as për të larë, ndërsa lumenjtë dhe detet janë kthyer në kanale të ndotura . Kjo është një krizë mjedisore dhe shëndetësore, e shkaktuar nga paaftësia dhe mosveprimi sistematik i qeverisë.
Qeveria ka braktisur qytetarët për të ushqyer klientët e saj. Ka braktisur fermerët, të rinjtë, të moshuarit, profesionistët, për të ndërtuar një shtet që funksionon vetëm për të pasurit, për oligarkët dhe për pushtetarët e lidhur me afera.
Kjo është Shqipëria që s’e gjen në ekranet e pushtetit, por që e jeton çdo qytetar në rrogën që nuk mjafton, në çmimet që rriten çdo ditë, në spitalet ku mungon gjithçka, në arsim e degraduar dhe në rrugët që shpien drejt ikjes, ne Shqipërinë që shpopullohet cdo ditë.
Partia e Lirisë beson se Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë propagandë, por për një ndryshim thelbesor dhe te menjehershem te modelit qeverises .Zgjidhja është programi konkret I Partise se Lirise, i ndërtuar mbi 5 prioritete kombëtare për 4 milion shqiptare plus. Ky program garanton përmirësim e cilësisë së jetesës së shqiptarëve dhe ndaljen e shpopullimit.

