Tregu i sigurimeve vullnetare u rrit në volum, ulje me 2,65% tek sigurimet e Jo-Jetës

Tregu i sigurimeve vullnetare shënoi një rritje të lehtë në volum, gjatë periudhës janar-maj, me primet e mbledhura që arritën në rreth 4 miliardë lekë, duke regjistruar një rritje prej 0,37% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e primeve u shoqërua me një rritje më domethënëse të numrit të kontratave të sigurimit vullnetar, të cilat u shtuan me 9,88% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, sigurimet vullnetare të Jo-Jetës shënuan një ulje prej 2,65% në të ardhurat nga primet krahasuar me vitin e kaluar.

Brenda këtij segmenti, portofolat që përfshijnë sigurimet e “pronës, përgjegjësive dhe garancive” siguruan një total prej mbi 1,6 miliardë lekësh, ku mbizotëruese ishin sigurimet kundër “zjarrit dhe dëmtimeve të tjera në prone”, me një pjesëmarrje prej 69,57% në totalin e kësaj kategorie. Sigurimet e “përgjegjësisë së përgjithshme” përbënin 19,37% të të ardhurave të këtij grupi.

Vëllimi i primeve të shkruara bruto në portofolin e sigurimeve kundër “zjarrit dhe forcave të natyrës” ra me 8,42%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa numri i kontratave të nënshkruara u rrit me 9,39%.

Ndërkohë, të ardhurat nga sigurimet e “aksidenteve dhe shëndetit” gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2025 arritën në rreth 577 milionë lekë, duke shënuar një rënie prej 5,38%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Në kontrast me ecurinë e sigurimeve të Jo-Jetës, segmenti i sigurimeve të Jetës shënoi një rritje të konsiderueshme.

Primet e mbledhura në këtë kategori arritën në rreth 945 milionë lekë, me rritje prej 11,61% krahasuar me janar- maj 2024.