TUNDEN PRANGAT/ Incineratori i “ECO-ELB” u kthye në krater vullkanik, Prokuroria e Elbasanit gati të dalë me masa arresti për situatën e plehrave

Prokuroria e Elbasanit ndodhet në finishin e një hetimi të nisur qysh në vitin 2024 për zyrtarë të 8 bashkive të këtij qarku dhe punonjës të shoqërisë aksionere “ECO-ELB”.

Hetimi i kryer për gati 1 vit me radhë pritet të finalizohet duke çuar për ndjekje penale zyrtarët përgjegjës të keq menaxhimit të mbetjeve në Elbasan dhe abuzimit financiare që janë kryer përmes trajtimit të mbeturinave për 8 qytetet e qarkut të Elbasanit.

Shumë nga zyrtarët bashkive dhe punonjësit e “ECO-ELB” janë marë në pyetje, ku pas deklarimeve të tyre janë konstatuar një seri shkeljesh ligjore dhe abuzime financiare.

Prokuroria ka zbuluar se 8 bashkitë e qarkut të Elbasanit kanë paguar shoqërinë “ECO-ELB” për gati 3 vite e 5 muaj për një shërbim kontraktual që nuk është kryer, siç është incenerimi (djegia) e mbeturinave.

Në pamundësi për ti djegur për shkak të mosfunksionimit të impiantit, drejtuesit e kompanisë “ECO-ELB”, kanë kryer grumbullimin e mbetjeve, duke krijuar një mal me plera urbane.

Ndërkohë veprimet e kryera nga prokuroria e Elbasanit, shtynë kryetarët e 8 bashkive të këtyre qarqeve të kryejnë një lëvizje juridike që synon ndryshimin e kushteve të kontratës me “ECO-ELB”.

Lëvizja është kryer nga bashkia e Elbasanit, pasur kjo dhe nga 7 bashkitë e tjera të Qarkut të Elbasanit, Prenjas, Peqin, Cërrik, Belsh, Gramsh, Librazhd dhe Rogozhinë.

Mësohet se që prej muajit Maj 2025, e në vijim bashkia e Elbasanit përfshirë dhe bashkitë e tjera të Qarkut Elbasan, kanë vendosur të amendojnë kontratën me shoqërinë aksionere “ECO-ELB”, duke ndryshuar çmimin e pagesës dhe kriteret e shërbimit kontraktual.

Me ndryshimin e ri të kontratës, 8 bashkitë nga muaji qershor 2025 e në vijim, nuk do kryejnë pagesa drejt “ECO-ELB”, për shërbimin e incenerimit. Duke bërë që ky shërbim tashmë të hiqet totalisht nga zërat kontraktualë.

Vetëm një muaj nga ndryshimi i kontratës, pamjet e paprecedenta që i ngjanin një krateri vullkanik, u filmuan dhe transmetuan në televizione dhe mediat online.

Videot e zjarrit që po vijon prej 4 ditësh në Elbasan, u shpërndanë shumë shpejt nga pika e grumbullimit të mbetjeve tek inceneratori i Elbasanit, që administrohet nga shoqëria aksionere “ECO-ELB”.

Aktualisht, për këtë rast prokuroria e Elbasanit, ka nisur një hetim kryesisht për akuzën e “Zjarr vënies së qëllimtë”, “Ndotja e ajrit” dhe “Keqmenaxhim i mbetjeve”.