Luftëtarët xhiha*istë organizojnë një seri sulmesh ndaj posteve ushtarake në Mali
Mali është goditur sërish nga një valë sulmesh të njëkohshme nga grupi xhihadist Jama’at Nusrat al-Islam wal Muslimin (JNIM), i lidhur me al-Kaedën, duke shënuar ofensivën e tretë të madhe kundër ushtrisë brenda një muaji.
Sulmet e së martës në mëngjes u përqendruan në shtatë qytete dhe qyteza, përfshirë Binoli, Kayes dhe Sandere, si dhe zona pranë kufirit me Mauritaninë dhe Senegalin.
Ushtria e Malit njoftoi se kishte zmbrapsur sulmet dhe kishte “neutralizuar” më shumë se 80 militantë, pa dhënë informacione për viktimat në radhët e saj.
Në një deklaratë publike, zëdhënësi i forcave të armatosura, kolonel Souleymane Dembele, deklaroi se “armiku pësoi humbje të konsiderueshme në çdo vend ku u përball me forcat tona”.
Ai shtoi se ishin rikuperuar armë, automjete dhe motoçikleta të militantëve.
Nga ana tjetër, JNIM pretendoi se kishte marrë kontrollin e tre kazermave ushtarake dhe e cilësoi sulmin si “të koordinuar dhe me cilësi të lartë”, pa dhënë detaje mbi viktimat.
Një banor në qytetin Kayes i tha agjencisë AFP se ishte zgjuar nga të shtënat dhe kishte parë tym që ngrihej pranë rezidencës së guvernatorit.
Mali është përfshirë në një kryengritje islamiste të përgjakshme për më shumë se një dekadë, duke u bërë një nga vendet më të prekura nga dhuna xhihadiste në rajonin e Sahelit.
Sulmet e fundit erdhën pas dy goditjeve të tjera të rëndësishme nga JNIM më herët në qershor, përfshirë një sulm në një kamp ushtarak dhe aeroport në Timbuktu, si dhe një bastisje që vrau të paktën 30 ushtarë në qendër të vendit.
Komanda e Shteteve të Bashkuara për Afrikën (Africom) ka paralajmëruar për rritjen e përpjekjeve nga grupet ekstremiste për të fituar akses në vijën bregdetare të Afrikës Perëndimore.
Gjenerali Michael Langley ka shprehur shqetësimin për rritjen e sulmeve në rajonin e Sahelit dhe në pellgun e Liqenit Çad, duke theksuar se qasja në bregdet do të përforconte ndjeshëm aftësinë e grupeve për trafik armësh dhe kontrabandë.
