Zgjidhet çështja më e vjetër e pazbardhur në Mbretërinë e Bashkuar: 92-vjeçari burgoset për përdhu*im dhe vra*je të vitit 1967
Një burrë 92-vjeçar është dënuar me burgim të përjetshëm në Mbretërinë e Bashkuar për përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje 75-vjeçare në vitin 1967, në një nga çështjet më të vjetra të pazgjidhura që përfundon me dënim në historinë britanike.
Ryland Headley u shpall fajtor për vrasjen brutale të Louisa Dunne në shtëpinë e saj në Bristol dhe gjykatësi i tha se ai do ta mbyllë jetën pas hekurave.
“Shkelja e shtëpisë së saj, e trupit të saj dhe e jetës së saj ishte një akt i pamëshirshëm dhe mizor,” u shpreh gjykatësi Derek Sweeting në Gjykatën e Kurorës në Bristol.
Headley, i cili në kohën e krimit ishte 34 vjeç, e kishte mbytur Dunne-n në dhomën e saj të ndenjjes, ku më vonë u gjet pa shenja jete nga një fqinj.
Pavarësisht një hetimi masiv në vitet ‘60, ku u morën gjurmët e duarve të mbi 19 mijë burrave në zonë, autori nuk u identifikua.
Vetëm në vitin 2023, falë teknologjisë së ADN-së dhe analizës së gjurmëve të pëllëmbës së dorës, u bë i mundur lidhja e Headley-t me krimin.
Ai u arrestua nëntorin e kaluar, pasi sperma e tij u gjet në rrobat e viktimës.
Dënimi u përshëndet si një hap drejt drejtësisë nga familjarët e viktimës.
“Më trishton që njerëzit që e donin Louisën nuk janë gjallë për të parë këtë ditë,” tha mbesa e saj, Mary Dainton, duke kujtuar si krimi shkatërroi shëndetin mendor të nënës së saj.
Headley kishte kryer edhe dy përdhunime të tjera ndaj grave të moshuara në fund të viteve ’70, por kishte vuajtur vetëm dy vite burg pas një uljeje dënimi në apel.
Gjyqtari Sweeting ishte i prerë: “Nuk do të lirohesh kurrë. Do të vdesësh në burg.”
