Vendoset gurthemeli i stacionit policor në Zubin Potok, Sveçla: Po punojmë të rrisim sigurinë publike dhe nacionale

Sot është vendosur gurthemeli i stacionit të ri policor në Zubin Potok.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ishte i pranishëm në fillimin e punimeve dhe vendosjen e gurthemelit për stacionin e ri policor në Zubin Potok.

Sveçla tha se ky stacion kishte munguar prej kohësh në këtë komunë, duke shtuar se stacioni i ri do të plotësojë të gjitha nevojat infrastrukturore për të siguruar shërbime sa më cilësore për qytetarët lokal.

“Sapo vumë gurthemelin për fillimin e punës të ndërtimit të stacionit policor në Zubin Potok. Stacion policor që i ka munguar me dekada këtij qyteti e kësaj komune. Po punojmë në vazhdimësi të rrisim nivelin e sigurisë nacionale dhe publike, poashtu po punojmë shumë që kushtet e punës për Policinë e Kosovës të përmirësohen.

Në një afat shumë të shpejtë qytetarët e Zubin Potokut do të kenë edhe një infrastrukturë shtesë për sigurinë e tyre, për një jetë më të mirë për të gjithë pa asnjë dallim.

Ky stacion do ketë hapësira të bollshme, një projekt prej 1.1 milionë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës, ky objekt do të jetë një objekt shembull për ndërtimin e mirë dhe plotësimin e kërkesave të policisë dhe qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se ky objekt ishte i nevojshëm për komunën të cilën ai e udhëheq duke shtuar se stacioni policor prej kohësh ka operuar në objekte private me qera.

“Ky objekt sot që po fillon është i nevojshëm pasi që dihet që me dekada që stacioni policor i komunës së Zubin Potokut ka operuar nga objektet private, kurse tani do të ketë kuadraturën e nevojshme. Dihet që esenciale është policia e komunës që i shërben sigurisë së qytetarëve”, tha ai. /KosovaPress/