“Porta drejt dr*gës po hapet herët”/ Hysenaj ngre alarmin: Fëmijët nisin me duhan dhe alkool që në 10 vjeç

Në një intervistë për “Ora News”, Orges Hysenaj, drejtues i qendrës së rehabilitimit “Teen Challenge Albania”, ka ngritur alarmin për një problem shqetësues që po prek gjithnjë e më shumë të miturit në vendin tonë.

Sipas Hysenajt, abuzimi me substanca të dëmshme, si duhani dhe alkooli – të cilat shpesh hapin rrugën për përdorimin e lëndëve narkotike – po nis në moshën 10 deri në 12 vjeç. Ai theksoi se fenomeni nuk është më sezonal dhe se mosha e përdoruesve po zbret gjithnjë e më shumë, duke u kthyer në një kërcënim serioz për të ardhmen e rinisë shqiptare.

" Është një alarm që ne kemi vite që e vëmë re dhe është në çdo stine, nuk është vetëm në stinën e verës edhe pse mund të shohim një rritje të kërkesës, rritje të konsumit të lëndëve narkotike dhe gjithashtu rritjes së kërkesës për ndihmë.

Nga pikëpamja jonë, nga këndvështrimi jonë, mënyra sesi njerëzit afrohen zakonisht është pasi kanë kaluar disa vite të varur prej lëndëve narkotike. 

Rrallë vijnë fëmijë apo adoleshentë edhe pse ata i drejtohen në mënyrë urgjente shërbimit të toksikologjisë në Spitalin Universitar të Tiranës.

Ne shohim një trend në rritje dhe në bazë të raportit të fundit të nxjerrë nga Bashkimi Europian në Lisbonë, përsa i përket konsumit të drogërave, ne shohim një trend në rritje të konsumit të tyre dhe shohim gjithashtu një trend në ulje të moshës, gjë që është një sinjal i rëndë dhe alarmi për gjithë shoqërinë tonë, për të pasur më tepër vëmendje dhe përkushtim për rininë, ose më sakt për fëmijët. 

Vëmë re se abuzimi me substancat adiktive, të cilat janë edhe duhani dhe alkooli, fillon që 10-12 vjeç. Ato janë porta hyrëse për të gjitha drogërat e tjera", u shpreh Hysenaj.