“LUANI NË NGRITJE”, BILANCI I IZRAELIT/ Goditi zemrën iraniane. 900 objektiva, 11 shkencëtarë të vr*rë
Operacioni “Luani në Ngritje” ka qenë ndër më të fuqishmit në historinë ushtarake të Izraelit. IDF njoftoi se mbi 900 objektiva strategjikë iranianë u shkatërruan në më pak se dy javë. Janë vrarë 11 shkencëtarë bërthamorë dhe 30 zyrtarë të lartë të sigurisë, përfshirë 3 komandantë të Gardës Revolucionare. Ministri izraelit i Mbrojtjes deklaroi se ishte planifikuar edhe eliminimi i Ajatollah Khameneit. Ndërsa Irani mohon dëmet, por pranon pasoja “të gjera dhe serioze”.
Operacioni "Luani në Ngritje", ofensiva më e gjerë izraelite kundër Iranit në historinë e fundit, ka lënë pas një bilanc tronditës.
Ushtria izraelite deklaron se ka goditur 900 objektiva, përfshirë qendra komanduese, depo armësh, e deri te laboratorë bërthamorë.
Në një deklaratë zyrtare forcave ushtarake IDF konfirmojnë se janë vrarë 11 shkencëtarë bërthamorë iranianë dhe 30 zyrtarë të lartë të sigurisë, përfshirë tre komandantë të Gardës Revolucionare.
“Sulmet shkatërruan gjithashtu avionë, depo armatimi dhe qendra prodhimi raketash, duke parandaluar kështu prodhimin e mijëra raketave të tjera,” thuhet në deklaratë.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, pranoi se ishte planifikuar edhe eliminimi i liderit suprem iranian, Ajatollah Khamenei, i cili sipas burimeve ndërkombëtare u zhvendos në një strehë nëntokësore për të shmangur atentatin.
“Po të kishim pasur mundësinë, do ta kishim vrarë,” tha ai, duke nënvizuar seriozitetin e ofensivës izraelite”, tha ministri.
Pavarësisht këtyre goditjeve, Khamenei doli në publik të enjten, ku nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, shpalli fitoren morale të Iranit dhe duke akuzuar SHBA-në për përfshirje të drejtpërdrejtë në sulme.
Ndërkohë, administrata Trump ka heshtur për shifra të sakta. Zyrtarë të Pentagonit pranuan dëme të mëdha, por vlerësimet për ndikimin afatgjatë në programin bërthamor të Iranit mbeten të ndara.
Irani thotë se nuk do të rifillojë bisedimet me SHBA-në dhe se do të hakmerret në kohën dhe mënyrën e vet. Konflikti mbetet i pezulluar – me një armëpushim të brishtë dhe një rajon që rri pezull mbi një fuçi baruti.

