Zbulohen bisedimet sekrete SHBA-Iran/ Paratë, lehtësimi i sanksioneve dhe një program i ri bërthamor në fokus të diskutimeve
Administrata Trump ka diskutuar ndihmën që Irani të ketë në dispozicion deri në 30 miliardë dollarë për një program bërthamor civil, heqjen e disa sanksioneve që e kanë penguar atë dhe “lirimin” e fondeve të ngrira iraniane. Sipas katër burimeve të njohura me çështjen, janë zhvilluar bisedime prapa skenave me zyrtarë iranianë, si gjatë javëve të fundit kur Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme, ashtu edhe në ditët që nga marrëveshja e armëpushimit.
Zyrtarët e administratës Trump thonë se janë vënë në tryezë disa propozime. Këto janë ide paraprake dhe në zhvillim e sipër, por një kusht mbetet i panegociueshëm, pasurimi zero i uraniumit nga Irani, për të cilin Teherani këmbëngul se është i nevojshëm. Pavarësisht këmbënguljes së SHBA-së për këtë kusht, drafti paraprak i propozimeve i përshkruar CNN-së nga dy burime të saj përfshin propozime mjaft joshëse për Iranin.
Disa detaje u vendosën në një takim të fshehtë dhe të gjatë midis të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff dhe partnerëve të Gjirit në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar, një ditë para sulmeve ushtarake të SHBA-së ndaj Iranit. Ndër kushtet që po diskutohen dhe që zbulohen për herë të parë është një investim prej 20 deri në 30 miliardë dollarësh në një program të ri bërthamor iranian pa pasurim, që do të përdoret për përdorim civil të energjisë, sipas burimeve të rrjetit.
Një zyrtar i administratës Trump i tha CNN se në një skenar të tillë, paratë nuk do të vinin direkt nga Shtetet e Bashkuara, të cilat do të preferonin që kostot të mbuloheshin nga aleatët e tyre arabë. Investimi në infrastrukturën e energjisë bërthamore të Iranit është diskutuar në raundet e mëparshme të negociatave në muajt e fundit.
"Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të udhëheqin këto bisedime.Dikush duhet të paguajë për ndërtimin e programit bërthamor, por ne nuk do të jemi të angazhuar financiarisht", tha zyrtari për CNN.
