Projektligji për kontrollin e kufirit shtetëror, Hoxha: Rol kyç në luftën kundër migracionit të paligjshëm
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi në Kuvend sot projektligjin për “Për kontrollin e kufirit shtetëror”.
Në fjalën e tij ministri Hoxha nënvizoi se ky projektligj është me rëndësi thelbësore për sigurinë kombëtare dhe për përmbushjen e objektiva strategjike të vendit në rrugën drejt integrimit evropian.
“Ky projektligj nuk është thjesht një ndryshim teknik apo formal, por përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt afrimit të kapaciteteve tona shtetërore në menaxhimin e integruar të kufirit drejt forcimit në përputhje të plotë më standardet e BE-së dhe kodin e kufijve me SHENGEN”, tha Hoxha.
Hoxha theksoi se “në këtë nismë ligjore ne jo vetëm përmirësojmë kuadrin ligjor ekzistues, por hedhim një hap tjetër drejt sigurisë moderne, efikase dhe të integruar”.
Duke u ndalur te risitë e këtij projektligji, Hoxha tha se më këtë projektligj “forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar nëpërmjet krijimit të qendrës kombëtare të menaxhimit të integruar të kufijve”.
“Rritet siguria në zonën e verifikimit kufitar përmes përcaktimit të qartë të një zone 2 km ku rojat kufitare mund të ushtrojnë kompetencën e tyre në mënyrë të ligjshme dhe të kontrolluar”, shtoi Hoxha.
Hoxha nënvizoi se “projektligji përfaron dhe inkorporon depozita të rëndësishme të BE-së si ato që lidhen me sistemin e mbikëqyrjes së kufirit me të dhënat për pasagjerët dhe rregulloren lokale në zbatim të kontrollit kufitar”.
“Projektligji luan një rol kyç në luftën kundër migracionit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe trafiqeve ndërkufitare, duke fuqizuar kapacitete teknike operative dhe ligjore të forcave tona të rendit në pikat e kalimit kufitar”, theksoi Hoxha.
Së pesti, shtoi ministri “kjo iniciativë rrit besimin e qytetarëve tek shteti, sepse tregon qartësisht se Shqipëria është një vend serioz në përmbushje të detyrimeve të tij evropiane”.
Hoxha tha se “jemi të vetëdijshëm për sfidat që vijnë nga sfidat e sigurisë në rajon dhe më gjerë, prandaj ky projektligj është një përgjigje e qartë dhe e koordinuar ndaj këtyre sfidave, një akt që na afron më shumë me BE-në jo vetëm si aspiratë politike, por si funksionalitet real i një shteti të së drejtës dhe sigurisë”.
Hoxha u kërkoi deputetëve miratimin e këtij projektligji, duke nënvizuar se siguria kufitare është baza e çdo zhvillimi tjetër demokratik, ekonomik dhe social të vendit tonë.
