Presidentja meksikane do të padisë SpaceX për ndotje: Qeveria po shqyrton se cilat ligje ndërkombëtare janë shkelur
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum kërcënoi se do të ndërmarrë veprime ligjore për mbeturinat dhe ndotjen e shkaktuar nga lëshimi i raketave SpaceX të miliarderit Elon Musk.
Sheinbaum gjatë një konference për shtyp u shpreh se qeveria meksikane po shqyrton se cilat ligje ndërkombëtare janë shkelur në mënyrë që të vazhdojë me ankesat e nevojshme sepse sipas saj ka vërtet ndotje.
Javën e kaluar, një raketë SpaceX Starship shpërtheu në platformën e lëshimit gjatë procesit të lëshimit në objektin e programit hapësinor të Elon Musk në Teksas, pranë kufirit me Meksikën.
Videoja e shpërthimit tregon raketën, e cila është rreth 40 kate e lartë dhe raketa më e fuqishme ndonjëherë, duke u ndezur dhe duke u shndërruar në një top zjarri gjigant.
Grupet mjedisore ngritën një padi në vitin 2023 kundër autoriteteve amerikane, duke i akuzuar ato për dështimin në vlerësimin e duhur të ndikimit të këtyre lëshimeve, ndërsa baza hapësinore e SpaceX në Teksas ndodhet afër në zona të mbrojtura natyrore.
Pavarësisht kritikave, Autoriteti i Aviacionit Civil të SHBA-së, FAA, dha dritën jeshile në fillim të majit për të rritur frekuencën e lëshimeve të Starship nga 5 në 25 fluturime në vit.
Një padi do të shënonte një betejë të re ligjore midis Meksikës dhe një kompanie të madhe amerikane.
Në maj, administrata Sheinbaum njoftoi padi kundër Google për ndryshimin e emrit të Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës për përdoruesit e Google Maps në SHBA, duke miratuar një vendim të Donald Trump.
