25-VJET, AVOKATI I POPULLIT! Ballanca: Të drejtat e njeriut të mbrohen në çdo kohë. Zaçaj: Mos kini frikë zërin e AP

Në 25-vjetorin e Avokatit të Popullit, krerët më të lartë të shtetit vlerësuan rolin e këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Avokatja Erinda Ballanca kërkoi që të drejtat të respektohen çdo ditë, jo vetëm në kohë krizash.

Në 25-vjetorin e krijimit të institucionit të Avokatit të Popullit, në një ceremoni të nivelit të lartë të zhvilluar në Tiranë, personalitete të larta të shtetit dhe përfaqësues ndërkombëtarë vlerësuan rolin thelbësor që ka ky institucion në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e demokracisë.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, theksoi se të drejtat e njeriut nuk duhet të aktivizohen vetëm në kohë krizash, por të jenë të garantuara në jetën e përditshme.

“Nuk mjafton të jemi të pranishëm në krizë, duhet të jemi të domosdoshëm në çdo ditë të zakonshme, ku drejtësia, barazia dhe dinjiteti sfidohen", tha Ballanca.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e cilësoi institucionin si një busull morale të shtetit dhe një mision të domosdoshëm për të mbrojtur qytetarin nga arbitrariteti i pushtetit.

Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja vlerësoi se Avokati i Popullit është “pasqyra ku pushteti sheh raportin e tij me qytetarin”.

Institucioni i Avokatit të Popullit u përshkrua si ndërgjegjja vetëkorrigjuese e shtetit  një zë i domosdoshëm, që shpeshherë nuk pranohet lehtë nga pushteti, por që mbetet themelor për një shoqëri demokratike.