Kapet boshnjaku i shpallur në kërkim nga autoritetet gjermane për mashtrime të përsëritura

Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në pikën e kalimit kufitar Bllatë, si rezultat i masave të shtuara të kontrollit dhe bashkëpunimit me Interpol Tiranën.

I arrestuari, shtetasi B. S., banues në Bosnje-Hercegovinë, u ndalua në hyrje të territorit shqiptar dhe u vu në pranga me qëllim ekstradimin.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, pasi Gjykata e Heilbronn i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “vjedhje me anë të mashtrimit”, “mashtrim” dhe “mashtrim në mënyrë të përsëritur dhe fitimprurës”, sipas Kodit Penal gjerman.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Wiesbaden për procedurat e ekstradimit të tij drejt Gjermanisë.