VIDEO shqetësuese/ Eci me makinë drejt detit në Vlorë, gjobitet drejtuesi që rrezikoi jetën e pushuesve
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, shihet një automjet duke lëvizur drejt vijës bregdetare në plazhin e Vlorës, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve në zonë.
Pas hetimeve, është identifikuar dhe gjobitur drejtuesi i automjetit me masë administrative prej 53,000 lekësh për shkelje të rregullave të Kodit Rrugor, për mosrespektim të sinjalizimit, shpejtësi të tepruar dhe qarkullim të ndaluar në zonë të banuar.
Ky rast ngre shqetësime për sigurinë në zonat e plazhit, ku sjelljet e tilla mund të sjellin pasoja serioze për jetën e njerëzve.
Njoftimi:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një automjet duke lëvizur në bregdet, në zonën e plazhit, në qytetin e Vlorës, ju informojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, kanë lokalizuar automjetin që shfaqet në pamjet e publikuara dhe kanë identifikuar drejtuesin e tij.
Pas shoqërimit të automjetit në ambientet e komisariatit, shtetasit Gj. I. (sqarojmë se ky shtetas nuk është punonjës i Policisë së Shtetit) iu vendos masa administrative 53 000 lekë, për shkeljen e 3 neneve të Kodit Rrugor, “Rregullimi i qarkullimit në qendrat e banuara “Shpejtësia” dhe “Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor”.
????♂️ Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë sezonit turistik, me qëllim krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurtë për të gjithë pushuesit, vendas dhe të huaj. Çdo shkelje që cenon këtë objektiv do të trajtohet me zero tolerancë.
Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie apo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke telefonuar në numrin 112 ????.
