Provimi i lëndëve me zgjedhje, MAS: Publikimi i tezës nuk cenon procesin

Ministria e Arsimit dhe Sportit njoftoi sot se provimi i fundit i Maturës Shtetërore 2025, ai i lëndës me zgjedhje, po zhvillohet në përputhje me standardet dhe procedurat e sigurisë dhe publikimi i tezave pasi provimi ka filluar në të gjitha qendrat e testimit, nuk e cenon në asnjë moment procesin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije në një njoftim publik, se “procesi i Maturës Shtetërore është zhvilluar me masa të shtuara sigurie, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, për të garantuar barazi dhe integritet për të gjithë maturantët”.

“MAS është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe ka ngritur strukturat e monitorimit në terren, me qëllim garantimin e një procesi të drejtë dhe të sigurt për nxënësit tanë”, thuhet në njoftim.

Ministria dhe strukturat arsimore kanë ndërmarrë një sërë masash paraprake për të siguruar zhvillimin e drejtë dhe të barabartë të procesit të Maturës Shtetërore, përfshirë: mbikëqyrjen e ambienteve të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnimin e administratorëve, kontrollin e rreptë të hyrjes dhe daljes, si dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për të reduktuar stresin te maturantët për të arritur rezultate të merituara.