“Mos përfitoni nga trazirat në Lindjen e Mesme”Donald Trump kompanive të naftës: Mbani çmimet të ulëta, po ju vëzhgoj

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj kompanive të naftës që mund të përfitojnë nga trazirat në Lindjen e Mesme dhe të rrisin çmimet e naftës.

“Të gjithë mbajini çmimet e naftës të ulëta. Po ju vëzhgoj! Po luani lojën e armikut. Mos e bëni” , shkruan presidenti i SHBA-ve në një postim në Truth Social.

Gjithashtu përmes një postimi të dytë, presidenti amerikan i bëri thirrje Departamentit të Energjisë të përshpejtojë shpimet për nxjerrjen e hidrokrabureve.

“Për Departamentin e Energjisë: shponi, shponi, shponi. Dhe bëjeni TANI, e them me bindje”, ka shkruar Trump në Truth Social.

Ekzistojnë spekulime të shumta se Irani mund të hakmerret për sulmet e SHBA-së ndaj objekteve të tij bërthamore duke mbyllur njërën nga rrugët më të ngarkuara të transportit të naftës në botë, Ngushticën e Hormuzit.

Rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz kalon përmes kësaj rruge të ngushtë detare në Gjirin Persik. Bllokimi i saj do të kishte pasoja të thella për ekonominë globale, duke ndërprerë tregtinë ndërkombëtare dhe duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës.

Kjo do të shkaktonte gjithashtu rritje të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në mbarë botën, dhe do të godiste fort disa nga ekonomitë më të mëdha globale, përfshirë Kinën, Indinë dhe Japoninë, të cilat janë ndër importuesit kryesorë të naftës së papërpunuar që kalon nëpër këtë ngushticë.

Çfarë është Ngushtica e Hormuzit dhe ku ndodhet?

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë dhe pika më kritike për kalimin e naftës.

E kufizuar në veri nga Irani dhe në jug nga Oman dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), kjo rrugë ujore është vetëm rreth 50 km e gjerë në hyrje dhe dalje, dhe afro 33 km në pikën më të ngushtë, duke lidhur Gjirin me Detin Arabik.

Ngushtica është mjaftueshëm e thellë për të pritur super-tankerët që transportojnë naftë, dhe përdoret nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme, si dhe nga klientët e tyre.

Sipas vlerësimeve të Agjencisë Amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA), gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, rreth 20 milion fuçi naftë kalonin çdo ditë përmes Ngushticës së Hormuzit, një tregti energjie me vlerë afro 600 miliardë dollarë në vit.

Kjo naftë nuk vjen vetëm nga Irani, por edhe nga shtete të tjera të Gjirit si Iraku, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Çfarë pasoja do të kishte mbyllja e ngushticës?

Ish-drejtori i shërbimit britanik të inteligjencës MI6, Sir Alex Younger, i tha BBC-së se skenari më i keq në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit përfshin një bllokim të Ngushticës së Hormuzit.

“Mbyllja e ngushticës do të ishte padyshim një problem i jashtëzakonshëm ekonomik për shkak të ndikimit që do të kishte në çmimin e naftës”, deklaroi ai.

Bader Al-Saif, profesor në Universitetin e Kuvajtit dhe ekspert në gjeopolitikën e Gadishullit Arabik, tha për BBC Newshour: “Do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në tregjet botërore, sepse do të shihni rritje të çmimit të naftës dhe tregjet financiare do të reagonin me shumë nervozizëm”.

Ndikimi do të ishte i madh edhe për vendet e Gjirit që varen rëndë nga eksportet e energjisë. Arabia Saudite, për shembull, eksporton rreth 6 milion fuçi naftë në ditë përmes kësaj ngushtice, më shumë se çdo vend tjetër fqinj, sipas kompanisë analitike Vortexa.

Irani, krahasimisht, eksporton rreth 1.7 milion fuçi në ditë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Iranit, në vitin fiskal që përfundon në mars 2025, Irani eksportoi naftë në vlerë prej 67 miliardë dollarësh, niveli më i lartë në dekadën e fundit.

Edhe Azia do të goditej rëndë. Sipas EIA, në vitin 2022, rreth 82% e naftës dhe kondensatëve që kalonin nga Ngushtica e Hormuzit shkonin drejt vendeve aziatike. Vetëm Kina blen afërsisht 90% të naftës që Irani eksporton në tregun global.

Çdo ndërprerje e këtij furnizimi mund të rrisë kostot e karburantit dhe të prodhimit, në një kohë kur Kina po mbështetet te prodhimi dhe eksporti. Kjo nuk do të ishte vetëm një çështje e brendshme: kostoja në rritje e prodhimit mund të përkthehet në inflacion global.

Ndikimi do të ishte gjithashtu i madh për ekonomitë e tjera të mëdha aziatike. Gati gjysma e naftës bruto dhe 60% e gazit natyror të Indisë kalon përmes ngushticës. Koreja e Jugut siguron rreth 60% të naftës bruto përmes saj, ndërsa Japonia afro tre të katërtat.