Shefi i NATO-s flet për tensionet në Lindjen e Mesme! Rutte: Sulmet amerikane ndaj Iranit nuk shkelën të drejtën ndërkombëtare

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se sulmet amerikane ndaj Iranit nuk kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare.

I pyetur në lidhje me sulmet e SHBA-së ndaj Iranit gjatë fundjavës, ai ka thënë se Amerika nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar. Gjithashtu Rutte tha se aleatët e NATO-s kanë rënë dakord prej kohësh se Irani nuk duhet të zhvillojë asnjë armë bërthamore.

“Aleatët i kanë kërkuar vazhdimisht Iranit të përmbushë detyrimet e tij sipas Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore (NPT)”, tha ai.

Rutte vazhdoi duke thënë se plani i ri i investimeve në mbrojtje i aleancës do të jetë 5% e PBB-së dhe kjo do të ndihmojë në sigurimin e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Ndërsa udhëheqësit fillojnë të mblidhen për samitin këtu, ky është fokusi ynë – të sigurohemi që kemi gjithçka që na nevojitet për të penguar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi”, shtoi ai.

Sakaq Rutte theksoi se “kërcënimi më i rëndësishëm” me të cilin përballet aleanca e mbrojtjes është Rusia.