Financimi i partive politike, Braçe: Nevojiten ndryshime ligjore, në fushatë pati flukse parash nga burime të treta
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, njëherësh kryetar i komisionit të posaçëm kundër Dezinformimit u shpreh sot se ka ardhur koha për ndryshime ligjore lidhur me çështjen e financimit të partive politike.
Braçe prezantoi para komisionit të Ligjeve draft-strategjinë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit 2025-2030 dhe udhërrëfyesin për zbatimin e saj.
Ai theksoi se edhe në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të 11 majit ka pasur flukse të mëdha të parave nga burimet e treta që deri më tani nuk kanë pasur ndonjë detyrim të bëjnë deklarim.
“Duhet të shkojmë drejt këtij rregullimi ligjor. Këto historitë me celularin para, ja sa harxhoj unë në ditë, dhe ja sa para më japin mua në ditë, duhet të marrin fund që zgjedhjet të mos komercializohen, por të ngelen e drejtë për të zgjedhur me votë”, theksoi ai.
Duke folur për Strategjinë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit, Braçe vuri theksin tek forcimi i kapaciteteve për të parandaluar ndërhyrjet e huaja që mund të ndikojnë në demokraci.
“Strategjia synon të forcojë dhe mbrojë nga forma të reja të ndikim të huaj, që rrezikojnë funksionimin e shtetit të së drejtës. Shqipëria si vend kandidat për anëtarësimin në BE dhe anëtare e NATO-s nuk është imune ndaj këtyre formave të reja të ndërhyrjes. Pozicioni ynë gjeopolitik na bëjnë të ekspozuar ndaj rreziqeve hibride”, shtoi ai.
