Klosi: Zgjedhjet e pjesshme vendore për tri bashki në vjeshtë, përgatitemi për të fituar
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi sot se PS po bën gjithë përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet që do të zhvillohen në tri bashki të vendit, kryetarët e të cilave dhanë dorëheqjen pasi kandiduan për deputet në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit.
Në një prononcim për mediet, Klosi u shpreh se “periudha e përcaktuar në Kod, pra vjeshta e këtij viti, është periudha e përshtatshme për ta kryer këtë proces”.
Bëhet fjalë për bashkitë e Beratit, Tepelenës dhe Matit, për të cilat Klosi u shpreh se PS po punon për t’i fituar të trija bashkitë.
“Tri bashkitë të cilat janë në garë në bazë të tërheqjes së kryetarëve të bashkive, Bashkia e Matit, Beratit dhe Tepelenës, pa dyshim janë në planet organizative të Partisë Socialiste. Shkojmë për t’i fituar të trija bashkitë. Kemi filluar, të paktën në Mat, përzgjedhjen e kandidaturave për rifreskimin e gjithë strukturës sonë elektorale, dhe besoj edhe Berati e Tepelena”, tha Blendi Klosi, sekretar i përgjithshëm i PS-së.
Klosi informoi se po në shtator, PS pritet të mbledhë forumet për të vijuar me ndryshimet në strukturat e partisë.
“Shtatori, si gjithmonë, ka qenë momenti kur, së bashku me grupin e ri parlamentar, së bashku me qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, do të analizohen, gjykohen dhe do të vlerësohen të gjitha forumet e Partisë Socialiste”, theksoi ai.

