Sina: Parada shqiptare në New York, për herë të parë me njohje zyrtare nga Bashkia e qytetit
Në zemër të Manhattan-it, mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora u mblodhën këtë të shtunë për t’iu bashkuar parades, por edhe festës shqiptare në New York.
Ngjarja, e organizuar nga “Albanian Roots”, shënon një nga momentet më të rëndësishme të bashkimit kulturor të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, duke sjellë gjallëri, krenari dhe emocion në rrugët e qytetit.
Parada paraditen e së shtunës me orën lokale nga zona e Central Park West, për të vazhduar përgjatë rrugës së 81-të deri në 68th Street, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve amerikanë dhe turistëve të shumtë.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë nga SHBA për “Ora News”, gazetari Beqir Sina ndau emocionet dhe detajet rreth paradës së shqiptarëve në New York, e cila këtë vit u njoh për herë të parë zyrtarisht nga Bashkia e qytetit.
"Kjo ishte një paradë, e cila po ti referohemi historisë dhe statistikave është një paradë e hershme, por kësaj radhe ka një të veçantë.
Organizohet për herë të parë një paradë zyrtare, pra Bashkia e New York-ut e njeh si paradë dhe është bashkë organizatore me organizatën "Rrënjët shqiptare".
Përgatitjet për këtë paradë nisën para dy muajve dhe parada erdhi pas një shkëputjeje të 2 viteve të kaluara pasi lindën disa probleme në lidhje me organizimin e saj edhe kujdesjen e saj nga Bashkia e New York-ut derisa më në fund u arrit edhe rezultati i asaj që Bashkia e New York-ut zyrtarisht ta njoh paradën, të merret me kujdesin e paradës dhe të marri pjesë tek bashkia.
Bashkëngjitur me shqiptarët që morën pjesë në këtë paradë ishin dhe forcat e uniformave blu, të cilat parakaluan të parat me bandën muzikore në krye të paradës, ashtu siç i kanë tradicionalisht në paradat e tilla këtu në New York kur e organizon pra zyrtarisht qyteti i New Yorkut. Filloi me atë entuziazmin dhe bukurinë e paradës që e kemi parë dhe më parë", u shpreh Sina.

