SIGURIA KIBERNETIKE NË SHQIPËRI/ Gati strategjia dhe plani i veprimit 2025-2030 për të “blinduar” vendin

Shqipëria ka prezantuar Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe Planin e Veprimit 2025–2030.
Qeveria parashikon mbi 6.7 miliardë lekë investime për të mbrojtur qytetarët, institucionet dhe infrastrukturën kritike nga kërcënimet digjitale.
Strategjia synon të forcojë mbrojtjen, edukimin dhe inovacionin .

Shqipëria është drejt miratimit të Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike për periudhën 2025–2030, së bashku me një Plan Veprimi konkret për tre vitet e para të zbatimit.

Dokumenti strategjik vendos një vizion të qartë: ndërtimin e një hapësire digjitale të sigurt, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, ku qytetarët, institucionet dhe bizneset të mbrohen nga rreziqet në rritje në internet.

Strategjia mbështetet mbi pesë politika kyçe: mbrojtjen e infrastrukturës digjitale, forcimin e kulturës së sigurisë, mbrojtjen online të qytetarëve, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe inovacionin teknologjik. Në qendër të saj janë masat konkrete që prekin sektorë të ndjeshëm si energjia, financat, shëndetësia dhe administrata publike.

Plani i Veprimit 2025–2027 përfshin mbi 250 masa të detajuara, të ndara sipas objektivave specifike dhe nën-objektivave të matshme. Qeveria parashikon të investojë mbi 6.7 miliardë lekë për realizimin e këtij plani.

Për vitin 2025, sipas dokumente fokusi do të jetë tek  Hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të ri për sigurinë kibernetike; Harmonizimin me acquis të BE-së; Zhvillimin e sistemeve të monitorimit në kohë reale të rrjeteve dhe incidenteve; Si dhe ndërtimin e mekanizmave të reagimit ndaj kërcënimeve hibride, përfshirë dezinformimin dhe ndërhyrjet politike.

Një tjetër element i rëndësishëm është përdorimi i teknologjive të avancuara si inteligjenca artificiale, sistemet cloud dhe blockchain për të përmirësuar zbulimin dhe parandalimin e sulmeve. Në këtë kuadër, do të ngrihet edhe Qendra Kombëtare e Ekselencës për Sigurinë Kibernetike, e pajisur me laboratorë kërkimi dhe platforma testimi për teknologjitë e reja.

Ndër prioritetet është edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për sigurinë në internet. Strategjia përfshin fushata kombëtare, trajnime në shkolla dhe universitete, si dhe mbrojtje të posaçme për fëmijët, gratë dhe grupet e nënpërfaqësuara. Prindërit do të pajisen me materiale praktike mbi kontrollin prindëror dhe fëmijët do të trajnohen për rreziqet si phishing, keqpërdorimi i të dhënave apo ekstremizmi online.

Zbatimi i planit do të mbikëqyret nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe përfshin aktorë të shumtë publikë e privatë.