Robbie Uilliams, Ambasador i muzikës në FIFA

FIFA ka emëruar një Ambasador të profilit të lartë, Robbie Williams, me të cilin bashkëpunimi muzikor do të fillojë me zbulimin e himnit të ri të organit botëror, "Desire".

E kompozuar me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij të hershëm, Karl Brazil dhe Owen Parker, si dhe Erik Jan Grob, kënga do të zbulohet e plotë këtë të shtunë, përpara ndeshjes hapëse të Kupës së Botës për Klube.

Videoja do të shfaqet gjithashtu në ekranet gjigante në stadiumin Hard Rock të Miamit para fillimit të ndeshjes midis ekipit Al-Ahly FC të Egjiptit dhe ekipit pritës Inter Miami. Në të shfaqet Robbie Williams duke kënduar një duet me këngëtaren italiane Laura Pausini.

“Muzika dhe futbolli kanë një aftësi të pakrahasueshme për t’i bashkuar njerëzit, të dyja përmes gjuhës së tyre universale, e cila krijon atë ndjenjë lidhjeje dhe komuniteti. Pra, kur këto dy botë përplasen, mund ta imagjinoni se çfarë ndodh. Jam jashtëzakonisht i nderuar që jam emëruar Ambasador i Muzikës i FIFA-s.

Për aq kohë sa mbaj mend, futbolli dhe muzika kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës sime, kështu që kjo është diçka shumë e fuqishme për mua në një nivel thjesht personal”, tha ylli 51-vjeçar britanik në një deklaratë.

Lidhja e Robbie Williams me futbollin nuk është diçka e re. Ai performoi në shfaqjen hapëse të Kupës së Botës në Rusi në vitin 2018. Katër vjet më vonë, në Katar, ai performoi për ekipin e Anglisë, duke kënduar në duet këngën "My Way" me Harry Kane.