Kriza e kompanisë kineze ‘Neta Auto’/ Punonjësit rebelohen, rrethojnë zyrën e presidentit

Kriza financiare në prodhuesin kinez të automjeteve, Neta Auto, ka marrë një kthesë dramatike, pasi qindra punonjës protestuan drejtpërdrejt në zyrën e presidentit të kompanisë, duke kërkuar pagat e tyre të prapambetura.

Kjo ngjarje ndodhi ditën e djeshme në zyrën e re të presidentit Fang Yunzhou në Shangai dhe u transmetua në video, duke tronditur opinionin publik.

Pamjet treguan punonjës të irrituar që rrethonin Fang-un, duke kërkuar shpjegime dhe pagesa për muaj të tërë pune të papaguar.

Ajo që shkaktoi zemërim tek të prnaishmit në këtë protestë, ishte reagimi i ftohtë i Fang-un duke thënë ‘thjesht raportojeni’.

Sipas burimeve lokale, kompania nuk ka paguar pagat që nga nëntori i vitit të kaluar.

Kjo periudhë përkoi me pushime masive nga puna, që përfshinë më shumë se 2,900 punonjës, afro gjysmën e forcës punëtore.

Megjithëse disa ish-punonjës kanë fituar çështje gjyqësore për të kërkuar detyrimet financiare, ata nuk kanë arritur të marrin paratë e tyre, pasi kompania pretendohet se nuk ka asete të sekuestrueshme.

Neta Auto, që dikur shihej si një premtim në industrinë kineze të automjeteve elektrike, është përballur me një seri humbjesh ligjore dhe presioni financiar që nga viti 2024.

Situata është përkeqësuar së fundmi, me njoftime se kompania po përgatitet për një ristrukturim borxhesh në përpjekje për të shmangur falimentimin total.