Panairi “Prishtinë 2025”: Inteligjenca rrjedh nga libri
U çel të mërkurën në Prishtinë edicioni i 25-të i panairit të librit “Prishtina 2025”, i cili do të mbahet deri më 15 qershor 2025, në Pallatin e Rinisë.
Në edicionin e sivjetshëm të këtij panairi marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Ndërsa, rreth 2,000 tituj të rinj pritet të ekspozohen nga botuesit pjesëmarrës. Panairi do të jetë i hapur për vizitorët çdo ditë nga ora 9:00-21:00.
Panairi i këtij viti vjen me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm personalitete të fushës së librit dhe kulturës, mes të cilëve edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.
“Në një kohë kur informacioni është kudo, por e vërteta shpesh është e mjegulluar, libri mbetet busulla që na ndihmon të gjejmë drejtimin e duhur në rrugën tonë intelektuale dhe shpirtërore.

Panairi i këtij viti është dëshmi se, edhe pas një çerek shekulli, interesi për librin nuk ka mbaruar, përkundrazi, ai po rilind me forma të reja, me autorë të rinj, me lexues gjithnjë më të etur për dije”, u shpreh Alda Bardhyli, e cila ftoi të shfrytëzojmë këtë ngjarje për të thelluar dialogun kulturor dhe për të forcuar lidhjen mes brezave.
Me mbi 40 aktivitete ky panair përkon me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime, debate dhe promovime, ku do të ketë të ftuar specialë, shkrimtarë nga vende të Europës, etj.
Përvjetorët që shënohen gjatë panairit të librit janë:
– 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt
– 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës
– 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës
– 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit.

