Adrian Paci çel në Romë ekspozitën “No Man is an Island”

Ditën e djeshme u çel, në Romë, “No Man is an Island”, projekti më i ri i artistit Adrian Paci.

“No Man is an Island” është një ekspozitë që fton të reflektojmë mbi humanizmin, përgjegjësinë e përbashkët dhe përvojat që na afrojnë, përmes një rrëfimi vizual mbi udhëtimin dhe fuqinë transformuese që ai mbart.

Titulli vjen nga vargjet e poetit anglez, John Donne, që na kujtojnë se askush nuk është një ishull i veçuar, por pjesë e një bashkësie më të gjerë njerëzore.

Artisti Adrian Paci ndërton një narrativë ku udhëtimi bëhet hapësirë reflektimi për përkatësinë, ndërlidhjen dhe sfidat e kohëve tona.

Në inaugurim ishte e pranishme zëvendësministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri si edhe ambasadorja pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.

Adrian Paci çel në Romë ekspozitën “No Man is an

Adrian Paci ka lindur në vitin 1969, në Shkodër. Ai ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Në vitin 1997 u vendos në Milano. Gjatë karrierës së tij, Adrian Paci ka hapur shumë ekspozita personale në institucione të ndryshme ndërkombëtare si: Musée d’Art Contemporain de Montréal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milan (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); National Gallery of Kosovo, Prishtina (2012); Kunsthaus Zurich, Zurich (2010); Bloomberg Space, London (2010); The Center for Contemporary Art – CCA, Tel-Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006) dhe Contemporary Arts Museum, Houston (2005).

Veprat e tij gjenden në disa koleksione private dhe publike, përfshirë Metropolitan Museum, New York; Muzeun e Artit Modern, New York; Musée d’Art Contemporain de Montréal; Centre Pompidou, Paris; Israel Museum, Jeruzalem; MAXXI, Romë; Fundacio Caixa, Barcelonë; Moderna Museet, Stokholm; Kunsthaus Zürich, Zyrih; UBS Art Collection, Londër; Museum of Contemporary Art, Majemi, Shtetet e Bashkuara; New York Public Library, New York; Solomon Guggenheim Foundation, New York; Seattle Art Museum, Seattle.