THESARI NË DET! Studiuesit: Në anijen “San José” që u fundos në 1708-n ndodhen deri në 200 tonë ar e argjend
Dhjetëra monedha ari të gjetura në një anije të zbuluar në vitin 2015 në brigjet e Kolumbisë kanë çuar në një prej zbulimeve më të mëdha arkeologjike. Studiuesit kanë konfirmuar se ato i përkasin galeoni spanjoll San José, një anije e mbytur në vitin 1708. Në të besohet se ndodhen deri në 200 tonë ar dhe argjend, me një vlerë që sot shkon në rreth 17 miliardë dollarë, duke e bërë atë “anijen më të pasur të mbytur në botë”. Zbulimi ka sjellë edhe përplasje diplomatike mes Spanjës dhe Kolumbisë mbi të drejtën e pronësisë së monedhave të arit.
Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik është konfirmuar në brigjet e Karaibeve të Kolumbisë, ku studiuesit kanë identifikuar dhjetëra monedha ari nga galeoni spanjoll San José, një anije e mbytur në vitin 1708 gjatë një beteje detare me britanikët.
Sipas studiuesve, thesari i San José-së përmban deri në 200 tonë ar dhe argjend, me një vlerë që sot shkon në rreth 17 miliardë dollarë, duke e bërë atë “anijen më të pasur të mbytur në botë”.
Analiza e monedhave të gjetura, të publikuara në revistën Antiquity, tregoi simbole të pasura si kështjella, luanë dhe një variant të kryqit të Jerusalemit. Studiuesit konfirmuan se monedhat vinin nga kaldaja e Limës në Peru, të prodhuara në vitin 1707 dhe i përkisnin traditës monetare koloniale spanjolle.

Këto monedha, të njohura si “macuquinas”, janë të prera me dorë dhe të parregullta, secila me peshë rreth 27 gram. Ato u gjetën në mesin e mbetjeve të armëve dhe ngarkesës së anijes në një thellësi prej afro 600 metrash nën det.
Zbulimi ka ndezur debate ligjore ndërkombëtare: Spanja pretendon të drejtën mbi thesarin sipas ligjeve detare, ndërsa Kolumbia, e cila nuk ka nënshkruar traktate ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë detare, planifikon ta ekspozojë atë në muze.

Mbytja e San José-së është një dëshmi unike e pasurisë së perandorisë koloniale spanjolle, e ngulitur mes historisë së luftërave, tregtisë së arit dhe sfidave ligjore të shekullit XXI.

