VIDEO/ Manastirliu: Nis në 16 qershor shkolla verore 2025, mbi 1000 nxënës të përfshirë
Nga data 16 qershor, për herë të parë do të nisë pilotimi i projektit “Shkolla Verore 2025”, që do përfshijë 10 shkolla, nga të cilat tetë në Tiranë, një në Kamzë dhe një në Durrës.
Lajmin e mirë e ndau sot, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë një takimi ku të pranishëm ishin mësues, përfaqësues të komunitetit të prindërve në Tiranë, prindër dhe nxënës.
Manastirliu tha se nga data 16 qershor, për herë të parë në 10 shkolla do të nisë një program i ri, Shkolla Verore, një model që synon të sjellë më shumë mundësi zhvillimi për fëmijët përmes lojës, sportit dhe argëtimit.
“Jam vërtet e kënaqur që do të lançojmë projektin e Shkollës Verore, në bashkëpunim edhe me një prej organizatave partnere të MAS, siç është World Vision. Për ne ka rëndësi parësore mirërritja dhe zhvillimi i fëmijëve tanë, dhe aspektet që lidhen me zhvillimin dhe rritjen personale të fëmijëve, nxënësve lidhen me të mësuarit përmes lojës, argëtimit, sportit dhe të vendosurit e bazave të shëndetshme”, tha Manastirliu.
Sipas ministres Manastirliu, programi do të zgjasë dy javë dhe do të përfshijë mbi 1000 fëmijë nga klasa I-V të komuniteteve të nxënësve në këto shkolla.

