Kërkesa për rinumërim, pushohet çështja ndaj Ilir Alimehmetit
Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, në cilësinë e Kolegjit Zgjedhor, ka vendosur të pushojë ankimimin e paraqitur nga Ilir Alimehmeti, kandidat i Partisë Demokratike/Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun Tiranë dhe vendimet përkatëse të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas Kolegjit këtë tagër e ka vetëm partia politike ose koalicioni.
Aimehmeti nuk është legjitimuar për të paraqitur fillimisht kërkesën në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor.
Kolegji ka vendosur se kandidatët individual nuk kanë të drejtë për tu ankuar dhe për të kërkuar rinumërim të votave ose pavlefshmëri të rezultatit në një zonë ose në disa zona zgjedhore.
Është një vendim i marrë në bazë të Kodit Zgjedhor. Pala paditëse, Alimehmeti tha përmes përfaqësuesve të tij se ka një keqkuptim ligjor dhe këtë duhet ta sqaroj pikërisht kolegji zgjedhor duke thënë se kandidatët janë subjekte të posacëm dhe duhet të lejohen për tu legjitimuar dhe për të kërkuar rinumërim të votave ose pavlefshmëri të rezultatit, ndërkohë që KQZ përmes dy përfaqësuesve të tij ligjor kërkoi që Alimehmeti të mos legjitimohet pasi këtë tagër e kanë vetëm partitë politike, ç'ka i dha të drejtë edhe Kolegji Zgjedhor.
