Koçiu: Gabriela la Italinë për të kontribuar në qendrën verore shëndetësore në Gjirokastër
Gabriela është një infermiere shqiptare, që pas disa vitesh punë në Itali vendosi që të rikthehet në vendlindjen e saj, në Gjirokastër për t’ju bashkuar ekipit të mjekëve dhe stafit të profesionistëve pranë qendrës shëndetësore verore në kalanë e këtij qyteti.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thotë se Gabriela, vendosi që të rikthehej në vendin e saj jo për pushime, por për të dhënë kontributin si infermiere, aty ku ka më shumë nevojë.
Sipas Koçiut, “sot ajo është pjesë e Qendrës Shëndetësore Verore në Kala të Gjirokastrës, një qendër e re, në zemër të kalasë, ku çdo ditë trajtohen turistë me raste nga më të ndryshmet: nga një matje tensioni, te një EKG, deri te frakturat e lehta nga kalldrëmet karakteristike”.
“Gabriela është një nga dhjetëra profesionistët që prej 1 qershorit janë në terren, në 36 qendrat verore të hapura në të gjithë Shqipërinë. Ata nuk njohin vapë, lodhje apo ditë pushimi janë aty për njerëzit. Faleminderit, Gabriela”, thotë Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Gabriela shprehet në mesazh të sajin se e pa rikthimin në Gjirokastër si një mundësi të mirë punësimi në qytetin e lindjes, për t’i dhënë ndihmë turistëve të shumtë, por edhe banorëve dhe qytetarëve të zonës së kalasë së Gjirokastrës. “Është kënaqësi t’i shërbesh turistit dhe komunitetit tënd”, thotë ajo.
Për herë të parë në Shqipëri, hartës së qendrave shëndetësore verore të hapura nga veriu në jug të vendit u shtohen edhe tre qendra shëndetësore të pozicionuara në zonat turistike me interes të lartë fetar dhe kulturor, si kisha e Shna Ndout, kalaja e Gjirokastrës dhe kalaja e Beratit.
MSHMS edhe këtë vit ka marrë masa për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për pushuesit dhe turistët e huaj të cilët do të zgjedhin për të kaluar pushimet në vendin tonë.
I gjithë sistemi shëndetësor nga Thethi në Ksamil do të jetë në gatishmëri përgjatë gjithë sezonit veror për të garantuar ofrimin e shërbimeve në kohë dhe sa më pranë turistëve.
