BERISHA AKUZON PËR “TREN BULLGAR”: Nuk bëjmë padi për komisionerët, do japim prova
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka deklaruar në konferencën me gazetarët se çdo kërkesë për rinumërim votash brenda partisë është pranuar pa asnjë përjashtim, duke theksuar se procesi ka të bëjë vetëm me transparencën dhe jo me ndonjë tendencë apo presion të brendshëm.
Berisha nënvizoi se çdokush që ka pasur dyshime për rezultatin në komisionet e numërimit është inkurajuar të kërkojë rinumërim, si një formë për të garantuar besimin dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor brenda strukturave të PD-së.
Pjesë nga fjala e liderit të opozitës:

E vërteta është se fole para kohe. Këtu do jemi me ‘trenin bullgar’ para jush. Radhën tjetër apo një radhë pas kësaj, këtu do paraqes aktin kriminal të ‘trenit bullgar’ me të gjithë shëmtinë e tij.
Për sa u përket fletëve, asgjë nuk qëndron nga ato që thotë KQZ. Të gjitha janë falsifikime. Fletët mungojnë dhe për këtë ka kaq shumë dokumente. Ku janë fletët?
A e more vesh që u hapën 4 kuti në Vlorë? A e dini ju se u gjetën 450 e ca fletë tepër? U gjetën në 4 kuti. U gjet kutia e tërë. Ne do bëjmë autopsinë e kësaj farse me durim para qytetarëve, para jush dhe komunitetin ndërkombëtar.
Prandaj, keni parasysh një gjë se jemi në një kohë kur propaganda përdoret për të varrosur dhe mbuluar me mashtrime farsën që ka ndodhur. Pa sukses!
A i dëgjon ti, ç’na doli ky me këtë narkoshtetin, thonë këto ditë? Po narkoshtetin, organet më të mëdha të botës me Financial Times, që është gazeta kryesore e Europës, me BILD, Spiegel, me televizionet më të mëdha, në të katër anët e kanë anonçuar, kurse këtu bëjnë .... e ke parë se ç’hipokritë janë?
Prandaj kujdes me këta se këta nuk kanë nder. Se të shtrosh sot problemin se ku është narkoshteti, je ushtar i Pojës. Kur e di që Poja kontrollon Durrësin dhe ka tre vite që nuk kapet një kilogram kokainë në Durrës.
Dhe që kur erdhi mandat-arresti, Altin Troplini njoftoi Elvis Doçin dhe Troplinët ia mbathën. Pra, këta kanë një përpjekje të ethshme, por kësaj here po iu ngec në fyt.
E vutë re daljen e fundit të Altin Troplinit me finlandezin? I shkau goja gënjeshtarit publik me damkë Alfred Shehu të thotë të vërtetën dhe ky i ndërhyn menjëherë sepse u rrëzoi variantin që kishte mashtruar me Troplinin.
Keni konstatuar ju që nuk ka asnjë operacion në Shqipëri për kokainën po nuk erdhën prokurorët ndërkombëtarë? Shqipëria është toka e kokainës. Këtu policia, prokuroria, qeveria janë të zhytura në pluhur të bardhë, me xhepa, me hundë, me të gjitha.
Dhe duhet të vijnë nga Finlanda, Italia, Gjermania për të kapur trafikantët. Se ndryshe këta që marrin rroga 7 mijë euro në muaj, po nuk u duken gjë, i kanë për kafe ato, nuk kapin një.
Dhe më e keqja, pa diskutim, që ka policë të ndershëm, pa diskutim që ka prokurorë dhe gjykatës të ndershëm, por këta i dekurajojnë.
Çfarë mund t’i thuash ti BKH-së kur shefi mban në xhep urdhër-arrestin gjersa ai është larguar. Dhe pastaj të akuzosh atë të BKH-së se ti e nxore, ti nuk e nxore. Këtë e kisha për ata që shtrojnë pyetjen se ku është ky narkoshteti se nuk e shohim kund. Të jem shumë i qartë dhe shumë i sinqertë.
Ky proces ka të bëjë vetëm me atë që quhet transparencë. Asnjë shtytje nuk ekziston, por personalisht nuk mund të mendoja dhe ta dini një gjë, çdo njeri që ka kërkuar për të numëruar votat këtu në parti, i është pranuar absolutisht kërkesa. Madje iu është kërkuar që të kërkojnë rinumërim votash.
Çdo njeri që ka pasur dyshime për numërimin e votave këtu, i është kërkuar të kërkojë rinumërimin e votave. Çdo njeri që ka dyshim për numërimin e votave në komisionet e numërimit le të kërkojë rinumërim dhe kjo pa asnjë lloj dyshimi se ky rezultat mund të jetë ky apo ai, por vetëm se gjykoj se transparenca është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur çdo dyshimi që tjetri ka.
Asnjë lloj tendence nuk kam unë në këtë proces. E kërkojnë, le ta bëjnë. Ata që e kërkojnë, kanë të drejtë dhe nuk kam asnjë koment.


