Shqipëri - Serbi në sytë e një kosovari, Jon Ajeti: Për ne kjo nuk është thjesht një ndeshje futbolli

Gazetari i Sporti në Kosovë, Jon Ajeti në një intervistë për “Ora News” u shpreh se ndeshja e sotme pavarësisht ngjyrimeve të tifozerisë është një ndeshje që Shqipëria duhet ta fitojë me patjetër ndaj Serbisë.

“Pavarësisht kanë blerë apo jo biletë për të qenë në stadium, qytetarë të Kosovës janë të shumtë sonte në Tiranë dhe po aq janë edhe këtu për të ndjekur nga afër ekipin e tyre të zemrës.

Sepse për kosovarët kjo nuk është thjesht një ndeshje futbolli dhe shpresoj shumë që të shkojë gjithçka siç duhet sa i përket sigurisë.

Nuk ka ndonjë iniciativë shtetërore për të instaluar ndonjë ekran të madh në shesh, por janë të organizuar në lokale dhe ambiente të shumta private. Ashtu siç janë të shumtë ata që i janë drejtuar Tiranës për të qenë atje. Edhe unë jam në Tiranë për të ndjekur dhe shijuar nga afër atmosferën e ndeshjes.

Më ka befasuar për të mirë qasja e lojtarëve shqiptarë që të jenë të kujdesshëm ndaj lojtarëve serbë.

Po ashtu edhe masat e sigurisë në stadium janë të larta. Personalisht mendoj që kombëtarja shqiptare i ka kapacitetet e duhura për të bërë një lojë shumë të bukur dhe të përzgjedhurit e Sylvinhos do ta bëjnë sonte këtë duke i vënë në vështirësi ekipin e Serbisë.

Sylvinhon e shikoj si një trajner që nuk rrezikon mbi skemat e tij dhe për këtë ai ka pasur kritikat e tij.

Unë ndeshjen e sotme e shikoj që do ta fitojmë me rezultatin 2 me 0”, u shpreh ndër të tjera gazetari i sportit Jon Ajeti.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME GAZETARIN JON AJETI