Trump frymëzon operën kantoneze në Hong Kong

Në një operë kantoneze të frymëzuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, një aktor kinez i veshur me një paruke bionde, ngjitet në skenën e Hong Kongut për t’u përballur me një tjetër aktor që luan rolin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, duke e tallur për veshjen e tij dhe duke e goditur me një pistoletë uji.

Shfaqja me titull “Trump, Presidenti Binjak”, e cila u shfaq me sallën e mbushur plot në Teatrin Xiqu të qytetit, përkoi me një bisedë telefonike 1-orëshe mes Trump dhe Presidentit kinez Xi Jinping. Kjo komedi është shkruar nga Edëard Li, një mjeshtër i Feng Shui-t i kthyer në dramaturg të operës kantoneze.

E debutuar për herë të parë në Hong Kong në vitin 2019, shfaqja që zgjat tri orë e gjysmë ka kaluar në disa versione, më i fundit përfshin edhe një atentat ndaj Trump dhe një përplasje të tij me Zelenskiyn në Shtëpinë e Bardhë.

Opera kantoneze është një formë e lashtë kineze arti që kombinon këngën, aktrimin, artet marciale dhe kostumet madhështore, dhe zakonisht shfaqet në raste të veçanta.

Në versionin më të fundit, shfaqja nis me një ëndërr të Ivanka Trump, ku i ati ka një vëlla binjak të quajtur Chuan Pu që jeton në Kinë. Kur Trump rrëmbehet nga alienë nga Marsi, Ivanka i kërkon Chuanit të shtiret si babai i saj për një ditë.

Në një skenë tjetër, Trump përfshihet në një përleshje komike me dyshimin e Zelenskiyt për shkak të veshjes së tij, dhe e qëllon me një pistoletë uji të porositur nga faqja kineze e shitjeve online Taobao, ndërkohë që Zelenskiy simulohet sikur është qëlluar.

Aktorët performojnë përballë një sfondi të mbushur me foto të ngjarjeve reale, duke ndërthurur të shkuarën dhe aktualitetin në mënyrë satirike.

Dramaturgu Edëard Li thotë se zgjodhi Trump-in si protagonist sepse politikat dhe tarifat e tij prekin jetën e përditshme të njerëzve në mbarë botën.

“Mendoj se kjo operë është një lloj ilaçi i veçantë për të gjithë botën”, thotë Li. “Kushdo që e sheh, ndjen gëzim sepse mendon për dashurinë dhe paqen”. Aktori Lung Koon-tin, që portretizon Trumpin, tha se ai është një figurë e veçantë që shkaktoi jehonë globale.

“Ai rriti tarifat dhe bëri që e gjithë bota të fliste”, tha Lung. Ai shton se miqësia mes Kinës dhe SHBA-së është një temë qendrore në shfaqje.

“Ne jemi kinezë dhe ai është amerikan, por miqësia është e përhershme. Për këtë flasim në këtë operë”. Publiku shpërtheu në të qeshura gjatë gjithë shfaqjes dhe e mbylli me duartrokitje entuziaste.

Një pjesë e mirë e spektatorëve ishin të rinj, si 28-vjeçari Thomas Lo, i cili tha se brezi i ri shpesh nuk lidhet me operën tradicionale, por temat aktuale e bëjnë këtë shfaqje më afër tyre. “Është argëtuese dhe diçka vërtet e veçantë”, u shpreh ai.