"Trump duhet të ushtrojë presion ekstrem!" Ish-zëdhënësi i NATO-s: Në Ukrainë janë vrarë 1 milion ushtarë rusë

Ish-zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea ka dhënë detaje reja në lidhje me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Në një lidhje direkte ekskluzive për emisionin Balkan Talks në Euronews Albania, ai deklaroi se Rusia ka regjistruar tashmë viktimën e saj të 1 miliontë, ndërsa sipas tij, nga pala ukrainase janë rreth 400 mijë të vrarë ndërsa theksoi se megjithë numrin e madh të viktimave, nuk ka ende një sukses diplomatik në bisedimet mes dy palëve.

Sipas Sheas, Rusia ka pushtuar rreth 20% të territorit ukrainas, por Ukraina nuk e ka humbur luftën dhe as Rusia nuk e ka fituar atë. Duke komentuar rolin e ish-presidentit amerikan, Shea tha se Trump nuk është se i mungon logjika, por mendon se administrata e tij nuk po ndjek rrugën e duhur për të sjellë paqe mes Rusisë dhe Ukrainës. Gjithashtu ai paralajmëroi se mesazhet e paqarta të Trump mund të interpretohen si një dritë jeshile për Putinin.

“Rusia nuk është gati për marrëveshje. Synimi i saj është të vendosë diktatin mbi Ukrainën, gjë që Ukraina nuk ka arsye ta pranojë. Fatkeqësisht, ka një shkëputje mes ambicieve të Trump dhe mjeteve për t’i realizuar ato. Ai duhet të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe t’i japë një mesazh të qartë Putinit se nuk do të mund të fitojë, por do t’i duhet të bëjë kompromis.

Një ditë Trump thotë se do ta lejojë Rusinë të mbajë territore të pushtuara, një ditë tjetër ndryshon qëndrim. Kjo i jep avantazh Putinit. Në vend që të favorizojë Rusinë, Trump duhet të ushtrojë presion ekstrem ndaj saj”, tha Shea.