Forumi Ndërkombëtar i Astanës: Liderët botërorë diskutuan të ardhmen në një botë në krizë

Me temën “Lidhja e Mendjeve, Formësimi i së Ardhmes”, Forumi Ndërkombëtar i Astanës (AIF) mblodhi në kryeqytetin e Kazakistanit mbi 160 folës ndërkombëtarë dhe rreth 7,000 pjesëmarrës nga mbarë bota, në një përpjekje për të gjetur zgjidhje ndaj sfidave globale që shtrihen nga konfliktet gjeopolitike te kriza klimatike dhe revolucioni teknologjik.

Në seancën plenare hapëse, presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, ngriti alarmin për rritjen e polarizimit ndërkombëtar dhe koston ekonomike të konflikteve që, sipas tij, po ziejnë në 52 shtete dhe po i kushtojnë botës 19 trilionë dollarë.

Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, dhe homologja e tij nga Maqedonia e Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, bënë thirrje për bashkëpunim global dhe reforma në OKB, ndërsa ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, u fokusua te sfidat klimatike.

Përveç fjalimeve në nivelet më të larta, forumi përfshiu rreth 40 panele e sesione mbi çështje kyçe si tregtia, energjia, zhvillimi teknologjik dhe transporti.

Tregtia dhe ekonomia ishin në qendër të vëmendjes, me Francën dhe Italinë që nënshkruan marrëveshje të rëndësishme me Kazakistanin – përfshirë një projekt për prodhimin e hidrogjenit dhe disa projekte në fushën e energjisë së gjelbër.

Një nga temat më të debatueshme ishte përdorimi i tregtisë si armë politike. Ekspertët theksuan se edhe pse kjo mund të funksionojë në afat të shkurtër, qëllimi prapa politikave tregtare ka rëndësi vendimtare për ndikimin e tyre afatgjatë.

Një hapësirë e veçantë iu kushtua rëndësisë strategjike të Korridorit të Mesëm si urë lidhëse ndërmjet Kinës dhe Evropës.

Autoritetet kazake njoftuan për investime të mëdha në infrastrukturë dhe për përpjekjet për të përmirësuar logjistikën rajonale përmes iniciativës “Kazakistani në Kryqëzimin e Kontinenteve”.

Ndryshimet klimatike ishin një tjetër çështje e theksuar, me parashikime alarmante për rritjen e temperaturave në Azinë Qendrore.

Zyrtarët e lartë dhe ekspertët kërkuan më shumë financim ndërkombëtar për klimën, duke theksuar se rajoni aktualisht përfiton më pak se 1% të fondeve globale në këtë fushë.

Në të njëjtën linjë, Kazakistani po përpiqet të përshpejtojë kalimin drejt energjisë së rinovueshme. Një marrëveshje prej 1 miliard dollarësh me kompaninë Masdar u cilësua si hap strategjik në këtë drejtim.

Vendit i është vënë në dukje potenciali i lartë për prodhimin e energjisë së erës dhe zotërimi i rezervave të çmuara të metaleve të rralla të tokës, që janë thelbësore për tranzicionin e gjelbër.

Një nga temat më të debatueshme dhe më aktuale ishte inteligjenca artificiale.

Pjesëmarrësit diskutuan nevojën për rregullim etik dhe mbrojtje të të dhënave personale, ndërkohë që Kazakistani njoftoi se është duke përgatitur një ligj të posaçëm për përdorimin e IA-së.

Drejtues të institucioneve vendase paralajmëruan për sfida të mëdha nëse teknologjia nuk shoqërohet me kuadër të qartë ligjor dhe moral.

Në përmbyllje të forumit dy-ditor, pjesëmarrësit u larguan me një ndjenjë përgjegjësie dhe angazhimi për të punuar bashkë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të sigurt.