Ishte një nga premtimet e fushatës, administrata Trump kërkon mbylljen e Departamentit të Arsimit! Çështja shkon në Gjykatën e Lartë

Administrata e presidentit Donald Trump i është drejtuar Gjykatës së Lartë të SHBA-së me një kërkesë për të marrë leje që të mbyllë zyrtarisht Departamentin e Arsimit, një lëvizje që do të transferonte kompetencat arsimore nga niveli federal tek shtetet dhe bordet lokale të shkollave.

Departamenti i Drejtësisë kërkon rrëzimin e vendimit të gjykatësit Myong Joon në Boston, i cili më 22 maj urdhëroi rivendosjen në punë të punonjësve të larguar masivisht dhe ndalimin e mëtejshëm të përpjekjeve për mbylljen e ministrisë.

Departamenti i Arsimit, i krijuar nga Kongresi në vitin 1979, mbikëqyr mbi 100 mijë shkolla publike dhe 34 mijë shkolla private në mbarë vendin, duke ofruar grante federale dhe administruar mbi 1.6 trilionë dollarë në kredi studentore. Megjithatë, 85% e financimit për arsimin publik vjen nga vetë shtetet dhe qeveritë vendore.

Mbyllja e këtij institucioni ka qenë një nga premtimet kryesore të Trump gjatë fushatës, dhe më 20 mars ai firmosi një urdhër ekzekutiv për ta shfuqizuar. Të nesërmen, sekretarja e Arsimit Linda McMahon njoftoi planin për pushimin nga puna të më shumë se gjysmës së stafit federal të ministrisë.

Vendimi i administratës u përball me rezistencë të fortë. Prokurorët e përgjithshëm të 20 shteteve dhe të Distriktit të Kolumbias, bashkë me sindikata të mësuesve dhe distrikte shkollore, e çuan çështjen në gjykatë, duke argumentuar se Trump kishte tejkaluar kompetencat kushtetuese të Kongresit.

Gjykatësi Joon bllokoi përkohësisht procesin e mbylljes dhe urdhëroi qeverinë të ndalonte transferimin e programeve kritike si ato për nxënësit me nevoja të veçanta dhe kreditë studentore në agjenci të tjera. Ai theksoi se “nuk mund të mbyllen sytë ndërsa shërbimet zhduken dhe punonjësit largohen, duke e lënë ministrinë një guaskë bosh.”

Më 4 qershor, Gjykata e Apelit në Boston hodhi poshtë ankesën e administratës Trump, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatësit Joon. Çështja tani pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, e cila do të vendosë nëse presidenti mund të shfuqizojë një agjenci të themeluar me ligj nga Kongresi pa miratimin e këtij të fundit.