Pas Putin, Trump zhvillon bisedë telefonike me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në fokus të bisedimeve lufta tregtare
SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Kinës, Xi Jinping.
Siç raportojnë mediat e huaja biseda është zhvilluar në orët e vona të së mërkurës, sipas kohës lokale në Pekin.
Megjithatë, nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me përmbajtjen apo temat që u diskutuan mes dy liderëve.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, Trump kishte bërë një deklaratë pozitive për Xi-n në rrjetet sociale, duke theksuar se gjithmonë i ka pëlqyer dhe do të vazhdojë ta pëlqejë Presidentin kinez.
Megjithatë, ai shtoi se Xi është jashtëzakonisht i vështirë për të arritur marrëveshje, duke nënvizuar sfidat që kanë karakterizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht për çështjet tregtare dhe tarifat doganore.
Ndërkohë tensionet mes Pekinit dhe Uashingtonit kanë qenë të larta gjatë viteve të fundit, veçanërisht gjatë presidencës së Trump, kur u vendosën tarifa të reja mbi mallrat kineze, duke shkaktuar përplasje të vazhdueshme në arenën ekonomike globale.
