Autoritetet ruse bastisin median rajonale në Jekaterinburg

Forcat ruse të sigurisë kanë bastisur zyrat e portalit rajonal mediatik “Ura.ru” në qytetin e Jekaterinburgut, duke arrestuar tre gazetarë.

Agjencia shtetërore e lajmeve TASS, duke cituar burime hetimore, tha sot se gazetarët përballen me akuza që lidhen me përdorimin, transferimin, mbledhjen dhe ruajtjen e paligjshme të të dhënave personale.

Ata dyshohen se kanë blerë raporte policore nga një zyrtar i korruptuar për të shkruar histori mbi raste të profilit të lartë.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë më shumë se tre vjet më parë, Moska ka shtrënguar ndjeshëm ligjet e saj për median, duke vendosur ndalime dhe dënime të rënda për të dëbuar median opozitare nga vendi.

“Ura.ru” konsiderohet miqësore me Kremlinin dhe mbështet plotësisht luftën kundër Ukrainës – të iniciuar nga presidenti rus Vladimir Putin.

Megjithatë, portali herë pas here ka shprehur kritika për çështje specifike në të kaluarën. “Ura.Ru” është ankuar për forcën e tepërt të përdorur nga oficerët gjatë bastisjes.