Kremlini: Trump duhet të dënojë sulmet ukrainase ndaj bombarduesve rusë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump duhet të dënojë sulmet ukrainase ndaj flotës së bombarduesve strategjikë të Rusisë, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një konferencë për shtyp.

“Nëse po flasim për një vlerësim të përgjithshëm ndërkombëtar, atëherë sigurisht që do të preferonim të dëgjonim të paktën një dënim të ashpër të këtij akti terrori”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një konferencë për shtyp.

Ai po i përgjigjej një pyetjeje nëse sigurimet e Trump gjatë një bisede me Presidentin rus Vladimir Putin se nuk ishte në dijeni të sulmeve ishin të mjaftueshme.

Ukraina zhvilloi një operacion të koordinuar fundjavën e kaluar duke shënjestruar disa aeroporte ushtarake ruse larg kufirit – përmes sulmeve me dronë.

Këto aeroporte strehonin bombardues me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, të cilët Rusia i ka përdorur për të sulmuar Ukrainën – që nga fillimi i luftës.

Ukraina ka raportuar rreth 40 avionë të shkatërruar, ndërsa Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se ishin dëmtuar vetëm “disa” avionë. Rusia e ka klasifikuar sulmin si një akt terrorizmi.

“Forcat ruse do të kundërpërgjigjen dhe kjo do të ndodhë në një kohë të caktuar dhe me mjetet që ushtria jonë i konsideron të nevojshme”, tha Peskov.